Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të betejës së Koshares. Atje presidenti edhe njëherë ripërsëriti se Kosova është shumë afër të krijimit të ushtrisë së saj.
“Në këto dy dekada, Kosova ka pasur procese shumë të rëndësishme. Themelimin e UÇK-së, formimin e TMK-së, shpalljen e pavarësisë, më pas formimin e Forcave të Sigurisë. Ndërsa tani është shumë afër krijimit të ushtrisë së saj. Në ditët, javët apo muajt në vazhdim ushtria e Kosovës do të themelohet. Kjo është e sigurt. Kosova do të ketë ushtrinë e saj, do të ruaj partneritetin me NATO-n dhe aleatët ndërkombëtarë. Kosova do të ketë ushtrinë si të gjitha shtetet e rajonit”, tha presidenti.
Në vazhdim, ai ka folur edhe për betejën e Koshares. Thaçi ka thënë se në Koshare për herë të parë u thye kufiri shqiptaro-shqiptar.
“Drejtësia e kauzës dhe forca morale që lufton për të drejtën e tij është me madhe se çdo ushtri. Për herë të parë këtu u thye kufiri Shqipëri-Kosovë. Beteja e Koshares ishte e të gjithëve. Operacioni ‘Shigjeta” dhe beteja e Koshares ishte triumf politiko-ushtarak. Ai ishte mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova se së shpejti ata do të ktheheshin në vatrat e tyre”, shtoi ai.
Diskutime rreth kësaj post