Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme ishte në Hoçë të Madhe të Therandës së bashku me kryetarin e Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Prekt Gjetajn, për t’i nderuar viktimat e luftës së Kosovës.
Thaçi përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka bërë të ditur se gjatë ditëve të kaluara ai ka takuar përfaqësuesit e familjeve të të pagjeturve, nga komuniteti shqiptar dhe nga komuniteti serb, transmeton “Zeri.info”.
Ai përmes këtij postimi po ashtu, ka bërë të ditur se për të mirën e vendit dhe ardhmërisë së vendit, duhet që të tejkalojmë veten tonë, të ngrehemi mbi ndjenjat që kemi për përkatësinë tonë etnike, fetare, politike dhe të shikojmë dobinë e përgjithshme.
Postimi i plotë i Thaçit:
Sot nderova viktimat e luftës së Kosovës, në Hoçë të Madhe dhe në Therandë, së bashku me z. Prenk Gjetaj, Kryetarin e Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit.
Në ditët e kaluara kam takuar përfaqësuesit e familjeve të të pagjeturve, nga komuniteti shqiptar dhe nga komuniteti serb. Nga ta mësova se i ka bashkuar dhimbja e shkaktuar nga lufta por edhe dëshira për t’i dhënë fund sa më parë agonisë së tyre.
Por, ajo që është edhe më e rëndësishme, nga ta mësova se për të mirën e ardhmërisë sonë, për të mirën e paqes e stabilitetit, duhet që të tejkalojmë veten tonë, të ngrehemi mbi ndjenjat që kemi për përkatësinë tonë etnike, fetare, politike dhe të shikojmë dobinë e përgjithshme.
Duke vendosur lule në përkujtimoren e familjes Berisha në Suharekë dhe në përkujtimoren e viktimave në Hoçë të Madhe, ne përkujtuam dhe u lutëm për viktimat gjatë dhe pas luftës, pa dallim nacionaliteti.
Kosova duhet të lirohet nga plagët e luftës. Tani është koha për të vërteten dhe pajtimin
Diskutime rreth kësaj post