Presidenti Hashim Thaçi ka filluar sot vizitën zyrtare në Turqi. Vizitën atje, numri një i Kosovës e ka nisur duke vënë kurorë lulesh në Mauzoleun e Ataturkut në Ankara ku edhe u nënshkrua në Librin e Kujtimeve.
Kreu i vendit i ka filluar vizitat zyrtare me takime të ndara me Kryetarin e Parlamentit turk, İsmail Kahraman, dhe me kryeministrin Binali Yıldırım.
Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, me kryeparlamentarin Kahraman, presidenti Thaçi ka biseduar për marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë dhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërparlamentar.
“Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse që Turqia ka qenë ndër vendet e para që ka njohur Kosovën, që në ditën kur Kosova ka shpallur pavarësinë, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme për sigurimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Sipas të njëjtit burim, kryetari i Parlamentit të Turqisë, İsmail Kahraman, ka thënë se Turqia është dhe do të mbetet mike e Kosovës dhe shtoi se të dy vendet ”duhet të rrisin bashkëpunimin parlamentar”.
Në fund të vizitës në Parlamentin e Republikës së Turqisë, presidenti Thaçi vendosi lule në pjesën e parlamentit të goditur nga predhat në tentim grusht-shtetin të datës 15 korrik 2016.
Komunikata e Presidencës tregon edhe se në takimin me kryeministrin Binali Yıldırım, presidenti Thaçi ka vlerësuar marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë dhe ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror.
“Vlerësoj partneritetin strategjik mes Kosovës dhe të Turqisë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndërkaq, kryeministri Yıldırım tha se Turqia do të vazhdojë të promovojë Kosovën në botë dhe e siguroi presidentin Thaçi se do të punojë në drejtim të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, në të gjitha fushat.
“Do të vazhdojmë të kërkojmë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”, theksoi kryeministri Yıldırım.
Presidenti Thaçi shprehu falënderim për përkrahjen e vazhdueshme dhe ftoi që bashkëpunimi mes dy shteteve të intensifikohet, veçanërisht në sektorin e ekonomisë.
“Investitorët nga Turqia janë ndër më të rëndësishmit”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit po ashtu theksoi se të dy vendet, Kosova dhe Turqia, ballafaqohen me kërcënimin e radikalizmit dhe terrorizmit dhe tha se mekanizmat e sigurisë të dy vendeve “kanë bashkëpunim të shkëlqyer”.
“Prandaj, çdokush që është terrorist në Turqi, është terrorist edhe në Kosovë”, përfundoi Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Mediat turke e kanë pasqyruar ndryshe vizitën e Thaçit në Turqi.
“15 korriku ishte një natë e errët. Deklarova atëherë, po e deklaroj edhe tani: forca e asnjë tanku nuk mund ta mposhtë forcën e këtij populli. Asaj që Turqia i thotë terroriste, edhe ne i themi terroriste”, citon Anadolu Agency, të ketë thënë i pari i vendit.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të pritet në Pallatin Presidencial nga presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan. Pas takimeve kokë më kokë dhe mes delegacioneve, Erdoğan dhe Thaçi do të mbajnë konferencë të përbashkët për media, ndërkohë që do të shtrojë edhe darkë në nderë të presidentit të Kosovës.
Diskutime rreth kësaj post