Tetë kandidatë do të garojnë në zgjedhjet presidenciale në Rusi. Lista e kandidatëve është finalizuar kur Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar zyrtarisht kandidimin e Ksenia Sobchak dhe Maksim Suraikin në ditën e fundit të procesit të regjistrimit.
Rusët do të votojnë për presidentin e ri më 18 mars, kur parashikohet fitorja e presidentit aktual, Vladimir Putin.
Sobchak është gazetare dhe personalitet televiziv, e nominuar nga Partia e Iniciativës Civile, ndërsa Suraikin është i njohur pak si lider i Partisë Komuniste të Rusisë, e cila është e ndarë nga partia disa herë më e madhe e ashtuquajtur Partia Komuniste, raporton REL.
Gjashtë kandidatët e tjerë të regjistruar më herët janë: Vladimir Putin, Boris Titov, Sergei Baburin, Grigory Yavlinsky, Vladimir Zhirinovsky dhe Pavel Grudinin.
Politikanit opozitar, Aleksei Navalny, kritikut të ashpër të Putinit, i është hequr e drejta e kandidimit për shkak të një dënimi kriminal, për të cilën ai thotë se ka qenë i motivuar politikisht. Navalny u ka bërë thirrje rusëve të bojkotojnë votimin.
Diskutime rreth kësaj post