Nga Luan Rama
Edhe pse një eksperiment social, subjektet e këtij eksperimenti të titulluar “Big Brother” (një huazim prej të ngjashmëve që shfaqen edhe në televizione të tjerë në disa vende të botës), janë të vetëdijshëm se janë zgjedhur për të qenë protagonistë të një shfaqjeje televizive, e cila transmetohet për shikuesit drejtpërdrejt përgjatë 24 orëve pa asnjë truk apo retush. Pra, pa fshehur asgjë.
Padyshim, është një gjetje televizive nga më interesantet, që tërheq shikueshmëri të lartë dhe që vlerësuar në pikëpamje të interesave të biznesit, thënë më shqip të interesave të fitimit, vë në plan të dytë treguesit e tjerë që kanë të bëjnë me etikën dhe gjuhën e komunikimit, kulturën apo nivelin intelektual të protagonistëve, përshtatjen apo sjelljen e tyre në një bashkësi të caktuar e të tjera si këto.
“Big Brother Vip Albania” është një realizim spektakolar i kolegëve të Top Channel, dhe fakti që shikueshmëria është në mënyrë mahnitëse shumë e lartë, është treguesi më i qartë i suksesit.
Ndaj, edhe unë, i ndodhur nën këtë presion dhe më shumë i provokuar prej diskutimeve dhe debateve që zhvillohen pothuaj gjithkun, gjej kohë heraherës ta ndjek këtë shfaqje e madje të përcjell me vëmendje sidomos gjetjet brenda saj apo lojërat e ndryshme që organizohen për t’i dhënë më shumë larmi jetës brenda shtëpisë së “Bib Brother-it” apo për t’i “ngacmuar” banorët e saj që të shfaqin zotësitë, dhuntitë, talentin apo aftësitë që kanë, përveç faktit për të qenë banorë nën fokusin e kamerave.
Në këtë konteks, më tërhoqi vëmendjen loja e titulluar “Testi i inteligjencës”, një “marifet” shumë interesant i zgjedhur me kast nga “vëllai i madh”, për të na zbuluar dijenitë apo mençurinë e banorëve, të cilët janë të gjithë të shkolluar me arsim të lartë universitar; ka mes tyre aktorë që vetëprezantohen të famshëm, ka këngëtarë, gazetarë apo siç quhen rëndom ca syresh, moderatorë programesh televizive e të tjerë si këta. Pra, thënë ndryshe i bie të jenë njerëz me inteligjencë të paktën në nivelin mesatar.
Mirëpo, paradoksalisht përgjigjet e testit të inteligjencës së banorëve ishin skandaloze, një shëmti e madhe që na shpërfaqi në mënyrë të dhimbshme injorancën në përmasën e vet më të plotë.
Por, nuk dua të merrem me këtë anë, sepse në fund të fundit duke qenë një shfaqje reale, drejtuesit e produksionit apo të televizionit, nuk mund ta fshehin të vërtetën e “inteligjencës” së banorëve.
Diku gjetkë dua të dal e duke veçuar ndonjë episod, të ngre një problem të madh që lidhet me të gjithë ne, me shoqërinë tonë e në mënyrë të veçantë me nivelin dhe cilësinë e shkollë.
Nëse nga njëqind pyetjet e bëra rezulton se “fituesja” e lojës iu përgjigjet vetëm dhjetë pyetjeve (pasi ka thënë ndër shumë përgjigje marrina që as një i pashkollë nuk mund t’i thotë!), produksioni e ka në dorë që këtë “lojë” ta quajë të dështuar dhe të mos e konsiderojë fare atë. Madje edhe të distancohet.
Kësisoj, në një lojë të dështuar nuk mund të ketë fitues, sepse me përgjigje të saktë për dhjetë përqind të pyetjeve, në asnjë test apo konkurs nuk mund të shpallesh fitues. Aq më tepër, nuk mund të shpallet fitues i “testit të inteligjencës” dikush që pa asnjë drojë guxon që pyetjes se kur ka lindur heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, t’i përgjigjet se ka lindur në vitin 1956, ashtu siç me të njejtën injorancë pyetjes tjetër se “cili shkrimtar i shquar shqiptar ka vdekur në moshën 27 vjeçare nga tuberkulozi” iu përgjigj: “At Zef Pëllumbi”!
Nuk di nëse i “lejohet” ndokuj që të mos e njohë Migjenin, por ama nuk di se si mund të mos e njohin atë njerëz të shkolluar dhe që kanë kryer universitetin e që aty në “Big Brother” janë edhe si VIP-a!
Duke marrë për referencë fituesen e testit të inteligjencës, e cila na qenkesh edhe një studente e diplomuar për arkitekturë me notën mesatare 9.5, imagjinoni se cili është niveli i inteligjencës ndër banorët e tjerë në “Big Brother Vip Albania”?!
Për ta kuptuar këtë po sjell edhe një shembull tjetër. Njëra prej banoreve, e pyetur se cila është mbretëresha e parë ilire, edhe pse është lindur, rritur dhe shkolluar në Durrës para se të diplomohej për aktore, përgjigjet Dea ( e Butrintit), edhe pse Teutën ( e Durrësit) e ka “patur” para derës së shtëpisë apo hyrjes së shkollës!
Unë nuk bëj përgjegjës për këtë nivel skandaloz injorance drejtuesit apo organizatorët e “Big Brother Vip Albania” dhe as televizionin përkatës. Por ama këta të fundit nuk mund të legjitimojnë nivele të tilla padijeje duke shpallur fitues të testit të inteligjencës ata që në fakt po na shpërfaqen si testi i injorancës.
Kaq gjë e kanë në dorë dhe duhet ta bëjnë si detyrim etik dhe profesional për të respektuar shikuesit e shumtë në rradhë të parë, por edhe veten e tyre padyshim, ashtu sikundër e kanë në dorë të distancohen nga “shakatë” idiote si ajo që bënë dy banorë në “shtëpinë më të famshme në Shqipëri”, të cilët teksa flisnin për fantazitë e tyre se sa fëmijë do të bëjnë, pa asnjë cak apo ndjesi njerëzore hamendësonin se sa nga ata ( fëmijët e tyre të presupozuar) do t’i shisnin, disa si qenie njerëzore e disa të tjerë për trafik organesh!
Pa asnjë dyshim unë besoj se protagonistët e këtij dialogu idiot nuk kanë asnjë lidhje as në nënvetëdijen e tyre me kriminelët e trafikimit të fëmijëve apo të organeve të tyre, por ndërkaq, ekrani ku transmetohen makabritete të tilla nuk mund e nuk duhet të heshtë. Sepse çfarë ndodh? Duke heshtur e duke mos u distancuar nga një rast i tillë, “fshehja” pa qëllim të keq por vetëm për të mbrojtur lojën mbase, iu la po të njejtëve protagonistë të dialogut të parë shtegun që të thonin një tjetër marrëzi teksa fantazonin se si do ta tërhiqnin zvarrë prej flokësh njërën protagoniste të lojës – dasmë që u zhvillua në “Big Brother”, nusen, apo që i uronin “dhëndërrit” teksa digjte shaminë e beqarit të përfundonte në pishinën që e mendonin sikur të ishte e mbushur me benzinë!
Unë e kuptoj se ç’do të thotë “reality show” apo shfaqje e vërtetë dhe transmetimi i saj me vërtetësi për shikuesit, por ajo që dua të shoh dhe të kuptoj më mirë unë, dhe si unë ma do mendja edhe të gjithë shikuesit e tjerë, është qëndrimi i produksionit, pra prodhuesve të kësaj shfaqjeje publike televizive dhe distancimi nga episode të tillë. Kjo është përgjegjësia e tyre që buron prej detyrimit ndaj shikuesve.
Diskutime rreth kësaj post