Pothuajse 2.000 njerëz kanë humbur jetën pas tërmetit në Afganistan të shtunën, sipas talebanëve, shifra është një rritje e konsiderueshme krahasuar me ditën e djeshme, kur OKB dha një shifër paraprake prej 320 personash të vdekur.
Tërmeti me magnitudë 6.3 goditi në perëndim të vendit, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara.
Epiqendra ishte rreth 25 milje në veriperëndim të qytetit të Heratit.
Ajo u pasua nga tre pasgoditje të forta, me magnitudë 6.3, 5.9 dhe 5.5, raportoi USGS.
Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar për qindra civilë që dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja.
Abdul Wahid Rayan, zëdhënës i Ministrisë së Informacionit dhe Kulturës në Afganistan, ka bërë thirrje për ndihmë urgjente.
Banori Abdul Shakor Samadi, tha se ai dhe familja e tij ishin brenda shtëpisë së tyre dhe e ndjenë tërmetin, duke shtuar se të afërmit e tij filluan të bërtasin dhe vrapuan jashtë dhe tani kanë frikë të kthehen.
“Të gjithë njerëzit janë jashtë shtëpive të tyre. Shtëpitë, zyrat dhe dyqanet janë të gjitha bosh dhe ka frikë për tërmete të tjera”.
Një tjetër banor, Naseema, tha se lëkundjet e shumta kishin shkaktuar panik në Herat, duke shtuar: “Njerëzit lanë shtëpitë e tyre, të gjithë jemi në rrugë.”
Një zëdhënës i autoritetit kombëtar të Afganistanit, për fatkeqësitë tha se katër fshatra në distriktin Zenda Jan në provincën Herat u goditën nga tërmetet.
Në qershor të vitit të kaluar, një tërmet i fuqishëm goditi Afganistanin lindor, duke vrarë të paktën 1,000 persona dhe duke plagosur rreth 1,500 të tjerë.
Ishte tërmeti më vdekjeprurës në Afganistan në dy dekada.
Diskutime rreth kësaj post