Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sapo ka përfunduar takimin urgjent me kryediplomatin europian Josep Borrell. Gazetarja Erisa Zyka, raporton nga Brukseli, se pas takimit me Kurtin, Borrell ka nisur bisedimet me Aleksandër Vuçiçin e Serbisë.
Takimet e dy liderëve kanë nisur me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell.
Borrell kishte njoftuar se fillimisht do të mbajë takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç. Më pas pritet takimi i përbashkët.
Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.
“… t’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi ai në Twitter.
Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës në fund të qershorit, situata në veri është e tensionuar.
Takimi i sotëm në Bruksel është thirrur një ditë para nisjes së zbatimit të fazës së dytë – shqiptimit të gjobave prej 150 eurosh për shoferët me targa ilegale.
Serbët në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e Qeverisë për targa.
Diskutime rreth kësaj post