I ftuar në një program televiziv, deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho ka folur për aksionin opozitar në parlament gjatë ditës së sotme, ku garda dhe policia kishin ‘pushtuar’ kuvendin.
Spaho theksoi se Kuvendi i Shqipërisë është kthyer në qesharak nga ana e mazhorancës e cila miratori 22 projektligje në vetëm 25 minuta, vetëm duke i lexuar titullin e projektligjit dhe duke i miratuar qorrazi pa debat.
Sipas Spahos, opozita nuk po kërkon qiqra në hell, pasi kërkesat e saj janë të drejta kushtetuese, si lejimi i komisioneve hetimore parlamentare dhe emërimi i njerëzve që i përfaqësojnë në komisionin e Reformës Zgjedhore dhe jo ata që do të emërojë Edi Rama.
Spaho: Synimi ishte për të bllokuar seancën e kuvendit për të mos i lejuar të zhvillojnë punime në kushte normale, sikur asgjë s’po ndodh në këtë vend. Besoj se qëllimit ia arritëm qytetarët shikojnë se si miratohen ligje në këtë kuvend qesharak, në këmb, në më pak se 25 minuta janë miratuar 22 projektligje vetëm duke i lexuar titullin e projektligjit dhe duke i miratuar qorrazi pa debat.
Nëse ne i shfaqim si opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm një pasqyrë të tillë, se si funksionon Kuvendi i Shqipërisë, besoj është krejt legjitime pyetja nga kushdo se pse ndodh kjo?
Ne nuk po kërkojmë qiqra në hell. Ne kemi dy kërkesa. Të lejohen komisionet hetimore parlamentare të hetojnë pasi është një e drejtë e jona kushtetuese dhe së dyti të emërojmë njerëzit që na përfaqësojnë neve në komisionin për Reformën Zgjedhore. Këto janë dy atribute kushtetuese që i gëzon opozita.
Diskutime rreth kësaj post