Në Shqipëri, ambasada e Shteteve të Bashkuara u shpreh sot “e shqetësuar për zhvillimet e fundit në parlamentin e Shqipërisë”. Në përgjigje të interesit të Zërit të Amerikës, për një koment mbi këto zhvillime, të cilat prej disa javësh kanë bërë të pamundur aktivitetin normal të organit ligjvënës të vendit, ambasada amerikane vë në dukje se “një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t’u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar”. Ambasada nënvizon më tej se “mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”.
Deputetë të opozitës, kanë zgjedhur bllokimin e seancave të parlamentit por dhe pengimin e punës së komisioneve parlamentare, si shenjë proteste ndaj “shkeljes së të drejtave të kushtetuese” përmes mohimit të ngritjes së disa komisioneve hetimore të kërkuara nga deputetët e djathtë, si dhe ndaj përpjekjeve të shumicës sipas saj “për të ndikuar emërimet e përfaqësuesve të opozitës”, duke ju referuar përfaqësuesit në Komisionin e Posaçëm të Reformës zgjedhore.
Shumica nga ana e saj, i është mbajtur linjës se lidhur me komisionet hetimore ajo po respekton interpretimet e Gjykatës Kushtetuese, dhe se është e gatshme të ulet me opozitën, për të diskutuar mbi objektin e tyre “që të jetë në respekt të Kushtetutës”.
Parlamenti nodhet në momentin e diskutimit e një prej dokumentave më të rëndësishëm siç është buxheti i shtetit. Por puna e komisioneve u reduktua në zhvillimn e mbledhjeve online, ndërsa seanca e djeshme, për miratimin në parim, u mbyll me votimin në kohë rekord, në më pak se 5 minuta./VOA
Diskutime rreth kësaj post