Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka shkuar papritur në Presidencë direkt pas përfundimit të seancës plenare.
Burimet pohuan se me Presidentin Bajram Begaj biseduan gjatë takimit i cili zgjati 1 orë, për zhvillimet politike në vend.
Sipas njoftimit të Kuvendit, gjatë takimit u diskutua mbi rritjen e bashkëpunimit ndër-institucional midis Presidencës dhe Kuvendit, mbi rëndësinë e përgatitjes të institucioneve për përshpejtimin e procesit të negociatave dhe avancimin drejt Shqipërisë europiane, duke nisur me Grupkapitullin e I-rë të Kapitujve “Themeloret”.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali në një postim në rrjetin social Facebook, ka zbardhur takimin, duke thënë se u diskutua për rritjen e bashkëpunimit ndër-institucional midis Presidencës dhe Kuvendit.
“Në takimin me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, diskutuam mbi rritjen e bashkëpunimit ndër-institucional midis Presidencës dhe Kuvendit, mbi rëndësinë e përgatitjes të institucioneve për përshpejtimin e procesit të negociatave, duke nisur me Grupkapitullin e I-rë të Kapitujve “Themeloret”. Falenderoj Presidentin Bajram Begaj për bashkëpunimin e deritanishëm dhe vullnetin për të rritur bashkëpunimin me Kuvendin, për avancimin drejt Shqipërisë europiane”, shkruan Spiropali.
E gjithë java është përfshirë nga tensione mes opozitës dhe maxhorancës që prej të hënës.
Opozita ka bojkotuar të gjitha komisionet parlamentare, ndërsa të hënën hoqi karriget nga salla e Parlamentit dhe u vuri flakën në oborr.
Kjo situatë vjen pas vendimit të Apelit për të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë 1 vit burg ndaj Ervin Salianjit për veprën penale kallëzim i rremë.
Diskutime rreth kësaj post