Kryeministri izraelit, Benxhamin Netanjahu thirri për sqarime ambasadorin amerikan në vend, ndërsa rritet tensioni pasi SHBA lehtësoi miratimin e një rezolute kundër Izraelit në Kombet e Bashkuara.
Netanjahu, i cili është edhe ministër i Jashtëm, ndërmori hapin e pazakontë të thirrjes së ambasadorit Dan Shapiro në zyrën e tij. Kjo pasoi thirrjet që Izraeli i dërgoi ambasadorëve të vendeve që votuan pro rezolutës të premten në Këshillin e Sigurimit. Thirrja e mbasadorëve erdhi pasi Izraeli u zotua se do të marrë masa në formë raprezaljeje për aktin, sipas tij, të turpshëm të OKB-së. Masa, e cila kritikon ashpër ndërtimet në kolonitë izraelite në bregun e pushtuar perëndimor dhe Jeruzalemin lindor, u miratua kur SHBA abstenoi dhe nuk përdori fuqinë e vetos për të mbrotjur aleatin historik.
Izraeli akuzoi SHBA, të cilat kanë kritikuar gjithnjë kolonitë, se organizuan votimin në OKB, një akuzë që Uashingtoni e ka mohuar. Vetë kryeministri Netanjahu tha se nuk ka dyshime që ishte administrata Obama që nxiti, hartoi dhe miratoi rezolutën, duke shtuar se miqtë nuk i çojnë miqtë në Këshillin e Sigurimit.
Rezoluta, e para që prej vitit 1979 që dënon politikat izraelite tek kolonitë, thotë se ndërtimet atje nuk kanë vlerë ligjore dhe përbëjnë një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar si dhe një pengesë serioze për arritjen e paqes përmes zgjidhjes së dy shteteve.
Diskutime rreth kësaj post