Televizioni i familjes Berisha ka shpërthyer dje në sulme e akuza ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim. Kjo e fundit plasi bombën nga selia e PD, duke e bërë të qartë se Berisha nuk ka vend në Parlamentin e ri. Kjo duket se ka shkundur nga themelet ish-kryeministrin dhe familjen e tij, pasi televizioni i familjes së tij përmes një editoriali ka shpërthyer në sulme ndaj ambasadores. Ky televizion e cilëson atë si persekutore, ndërsa sipas tij ajo shkoi në zyrën e Bashës si e dërguara e Ramës dhe jo si ambasadore.
“Të premten, kur u lajmërua se ambasadorja amerikane në Tiranë do shkonte për një takim në selinë blu, shumëkush mendoi se qëllimi kryesor do ishte diskutimi për raportin e rëndë të ODIHR, që rrëzonte zgjedhjet e 25 prillit si aspak të lira dhe të ndershme. Logjika ta do se Kim do bëhej luftëtare për lirinë dhe garën, dy vlera të cenuara rëndë më 25 prill. Kjo për shkak se vendi i saj, SHBA është bërë simbol i mbrojtjes së lirisë dhe garës në sytë e shqiptarëve. Por duket se ajo paska shkuar në selinë e demokratëve për t’u kërkuar atyre dy gjëra të kundërta nga aspiratat e SHBA: të mos kenë as liri dhe as garë. Duke përdorur një gjuhë të drunjtë të komunizmit, ajo u tha demokratëve që të distancohen nga liria, duke u ndarë nga simboli i tyre, Sali Berisha. “Përndryshe do hani bar”, tha ajo”, thuhet në editorialin e këtij televizioni.
Ndërkohë sipas këtij televizioni, Kim ka hedhur dje piketat e bashkëqeverisjes mes PD dhe PS. Sipas tij, me këtë lëvizje Kim u kthye në një persekutore.
“Më tej, në mënyrë të nënkuptuar, u kërkoi demokratëve të heqin dorë nga gara, duke bërë presion për bashkëpunim me njeriun që u ka vjedhur zgjedhjet dhe dinjitetin. Para pak ditësh, Yuri Kim tha se nuk është persekutore, por diplomate. Sot u shfaq si persekutore, kur sërish kërkoi ndëshkimin e një politikani pa asnjë provë te vetme. Nga Pogradeci, ajo tha se nuk është peshkatare, por diplomate. Sot nuk ishte asfare diplomate, por kishte dalë me kallam në dorë për të peshkuar në selinë blu një marrëveshje për Edi Ramën, njeriun që ka bërë çdo gjë të keqe në këtë vend, dhe po kap së fundmi edhe reformën në drejtësi. Ky sulm ndaj Berishës vjen pak pasi ai denoncoi skandalin e ish-partneres së Edi Ramës, Delina Ficos, me të ashtuquajturën drejtësi e re”, thuhet në shkrim.
Diskutime rreth kësaj post