Duket se partitë e vogla janë duke iu trembur shkrirjes. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka folur dje në një studio televizive mbi aktualitetin politik, ku deklaroi se opozita duhet të bëjë gjithçka që është në funksion të marrjes së çdo vote të elektoratit të djathtë. Fatmir Mediu ka folur për herë të parë lidhur me tezën e hedhur së fundmi për formimin e federatës së djathtë.
“Brenda koalicionit opozitar drejtuese është PD. Ajo që kërkojmë ne (partitë e vogla) është të formësohet një grup koalicion brenda koalicionit që të jemi në sinergji me njëri-tjetrin. Ky nuk është konflikt, por është marrëdhënie. Është një formacion që maksimalizon votën dhe për t’u formuar ky koalicion kërkohet ndërhyrje në Kodin Zgjedhor. Pra kemi kërkuar një federatë të djathtë”, tha Mediu.
Kryerepublikani sqaroi se formula e propozuar nga aleatët e Lulzim Bashës do i shërbejë edhe vetë Partisë Demokratike. Më tej ai shtoi se nëse një propozim i tillë nuk merret parasysh, partitë e vogla në koalicion do të duhet të shkrihen pasi nuk mund të ekzistojnë vetëm si shtojca dhe në funksion të partive të mëdha. Më tej ai folur edhe për mënyrën se si e ka pritur PD këtë propozim. Mediu u shpreh se PD ka patur qëndrim pozitiv.
“PD nuk do të marrë atë që nuk është e saj. PD ka qenë “fair” ka dhënë dhe ka marrë me të tjerët. Dy rrugë ka, ose do të shkrihen partitë e vogla ose do të përfaqësohen në elektorat”, ka deklaruar Mediu.
Pak ditë më parë Mediu bëri një vizitë disa ditore në SHBA. Dje ai ka folur për takimet që ka patur atje dhe qasjen e SHBA-ve ndaj Shqipërisë dhe rajonit. Mediu foli fillimisht për rrjetin 5G të cilin SHBA e ka konsideruar si një rrezik për sigurinë e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s dhe cenim të të drejtave të njeriut.
“Në forumin për “5G të sigurt”, të organizuar bashkë me Senatorin Jim Inhofe, pati pjesëmarrje të gjerë, mes të cilëve edhe Gjenerali James Jones, Ish-Komandanti i NATO-s. Diskutimi u përqendrua rreth Kinës, e cila duhet pranuar se ka investuar për rrjetin 5G dhe është revolucion nga ana ekonomike, por nga ana tjetër ka pasiguri. Teknologjia kineze është më e lirë, por kontestimi ka të bëjë me faktin se 5G kontrollohet nga shteti kinez, që bie ndesh me interesat e SHBA dhe NATO-s. Kjo ka të bëjë me elemente të sigurisë, ndërveprimin e shteteve me një kundërshtar të NATO-s”, tha Mediu.
Diskutime rreth kësaj post