Numri i të rinjve që iu drejtuan zyrave të punës erdhi në rritje në tremujorin e dytë të vitit.
Të dhënat nga burime administrative, tregojnë se gjatë prill-qershor rreth 18 mijë të rinj (15-29 vjeç) i kërkuan ndërmjetësimin e zyrave shtetërore të punësimit. Ata ishin 5% më shumë se në tremujorin e dytë të vitit 2023 dhe gati 20% me nivelet para pandemisë Covid-19.
Të dhënat nga Anketa e Forcës së Punës tregojnë se, 74,400 të rinj ishin të papunë në prill-qershor 2023, por vetëm 24% i shohin si mjet efikas zyrat shtetërore të punës.
Treguesit e punësimit për popullsinë e përgjithshme janë përmirësuar, por për të rinjtë zhvillimet ishin negative.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit, numri i të rinjve të punësuar në moshën 15-29 vjeç ishte rreth 12,400 më i ulët se periudha përkatëse e një viti më parë, me rënie 4.6%.
Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç ishte 22,3% në 3-mujorin e dytë, në një kohë shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart ishte 10.7% dhe për grup-moshën 30-64 vjeç është 7,7%.
Një analizë për e fundit për tregun e punës në Ballkanin Perëndimor tregoi se ndikimi i pandemisë në punësimin e të rinjve (15-24 vjeç) ka vazhduar të jetë domethënës.
Rikuperimi pas pandemisë ka qenë më i ngadaltë tek të rinjtë, sesa për popullsinë e përgjithshme. Në shumicën e vendeve, punësimi i të rinjve mbeten nën nivelet e tyre para-pandemike. Përjashtim bën Serbia, e cila ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në shkallën e aktivitetit te të rinjve, duke e lejuar atë të kapërcejë nivelet e tij para pandemisë.
Shifrat zyrtare mbi punësimin e të rinjve, veç dobësive në tregun e punës, tregojnë për tranzicionin demografik që po kalojnë, me ritmet e larta të emigracionit dhe rënien e lindjeve.
Megjithëse tregu i punës vitet e fundit po ofron fleksibilitet, duke rritur ofertën për punë, ata që po përfitojë më shumë janë persona në moshë pensioni ose persona në prag të pensioni.
Vendet e reja të punës kërkojnë pak aftësi dhe për rrjedhojë paga afër minimales dhe nuk janë tërheqëse për të rinjtë.
Për shembull gati 70% e vendeve të reja të punës të ofruara vitet e fundit nga bizneset i përkasin sektorit të industrisë përpunuese kryesisht sektorit fason, sektorë që nuk parapëlqehen më nga moshat e reja.
Rritja e papunësisë tek të rinjtë po vjen në një kohë që tregu i punës ka shpallur emergjencën për punonjës në të gjithë sektorët. Kompanitë në të gjithë vendin janë në kërkim të punonjësve nga vendet të largëta me kontrata të përkohshme pune që janë me kosto shumë më të larta se punonjësit vendas./Monitor.al
Diskutime rreth kësaj post