Të rinjtë në Evropë janë gjithnjë e më të shqetësuar për të ardhmen e tyre, ku sipas një studimi të ri të kryer nga Fondacioni TUI në Gjermani, më shumë se gjysma e tyre besojnë se do të jenë më keq se prindërit e tyre.
Studimi anketoi më shumë se 7,000 njerëz midis moshës 16 dhe 26-vjeç në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali, Greqi dhe Poloni.
Ai zbuloi se vetëm 22% e të anketuarve besonin se gjërat do të përmirësoheshin.
Ndryshimet klimatike, ekonomia dhe migrimi ishin ndër çështjet për të cilat të rinjtë shfaqën më shumë shqetësim.
Sondazhi tregon një rënie të qartë të optimizmit krahasuar me vitet e mëparshme.
Edhe vende si Polonia dhe Gjermania, të cilat kishin nivele mbi mesataren e optimizmit në vitet e fundit, pësuan një rënie.
Vetëm 56% e të anketuarve gjermanë, thanë se ishin optimistë për të ardhmen e tyre, një rënie prej tetë pikë përqindjeje nga viti 2017.
“Optimizmi i të rinjve në Evropë po zbehet, pesimizmi është në rritje. Qëndrimi ndaj jetës së të rinjve evropianë po përkeqësohet në një afat më të gjatë dhe më të vazhdueshëm”, thotë eksperti politik Thorsten Faas i Universitetit të Berlinit, i cili ofroi mbështetje shkencore për studimin.
Të rinjtë evropianë ishin gjithashtu, shumë të vetëdijshëm për pabarazinë sociale, me 74% që shihnin dallime të mëdha midis klasave sociale, veçanërisht në aspektin e të ardhurave, strehimit, pasurive dhe mundësive për karrierë.
Megjithatë, sondazhi zbuloi se ka ende një nivel të lartë besimi në shkencë, polici dhe drejtësi, si dhe në institucionet e BE-së.
Diskutime rreth kësaj post