Nga Anri Bala
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ngeli një ëndërr dhjetori! Si një komedi shekspiriane, që për fatin tonë të keq mbahet e bllokuar në “pyllin e madh të marrëzisë”. Marrëzi që po përdoret nga ahengxhiu i tallavasë së SHQUP-it, shumë larg ëndërrimeve të demokratëve të vërtetë, ata që kishin një ëndërr të tyren, për familjen, fëmijët dhe për të gjithë shqiptarët. Për shqiptarët që jetuan, vuajtën, ëndërruan. Për ata që luftuan për të vënë në lëvizje forcat transformuese të shoqërisë. Sot, për të ardhur keq, nuk ka mbetur më asnjë dhjetorist, nuk ka më as “8 Dhjetor”!
Unë s’mundem të festojë, ndoshta ngaqë nuk kam ku, nuk gjej arsye pse, nuk kam me kë të festojë! Si mund të bësh festë në “mortin” e demokracisë? Asgjë nuk ka ndryshuar, e çdo vit që kalon, e kupton se diçka të ka thyer thellë në shpirt dhe ëndërrat po i grisin dhe i zhubrosin disa mëkatarë të sistemit të përmbysur, ca “parvenu” të komunizmit që sot na hiqen… demokrat! Po po, demokrat, dhe të vërtetë madje!
Nuk e besoni? A nuk i shihni “demokratët” e vërtetë, që kërkojnë të marrin frenat në dorë, sepse për 20 vjet nuk i kishin, e për dreq se kush i’u a futi dhe i ngatërroi me gjithëfarë koalicionesh e pazaresh. Për ironi, sot nuk kishte asnjë “demokrat” në shesh, madje dhe Luli i kurseu qindarkat për të pirë të bardha vezësh hollandeze, që më pas me deklaratat e tij të “trondis” në themel vendin! Sot, pas 26 vitesh grupi “demokomunist” dhe “partia e bursave” për të bërë “miliona dollarë”, na e futi frikën, na e rriti pasigurinë!
E trishtë, ‘PD’ nuk del dot në sheshe… e turpshme arsyeja pse! Demokratët e vërtetë nuk mund të dalin në shesh krahë emrave që spikatën gjatë regjimit komunist, si: Sali Berisha, Agron Elezi, Fahri Balliu, Asllan Dogjani dhe i famshmi Katriot Islami, ose “Kaçi i Zi”, emër me të cilin e pagëzoi vetë Berisha, kur komunistët nuk ishin bashkuar akoma rreth partisë që i’u a projektoi shoku Ramiz.
Unë si demokrat përtej të majtës dhe të djathtës, nuk mund të protestoj përkrahë Kaçit dhe dhjetra “demokomunistëve” që janë grumbulluar rreth një partie që vetë emrin e ka “Demokratike”, por që nuk ka asnjë lidhje me partinë e shpresës së formuar më 8 Dhjetor. Unë të protestoj me këta dordolecë?! Krahë një tufe karagjozësh që nuk dinë gjë tjetër vetëm të zgërdhihen e flasin në telefon përballë kamerave, e që as zogjtë e arave nuk trembin dot! Kurrë!
Natyrisht që do të protestoj, e kështu si erdhi puna, i vetëm do tu “thyej dhëmbët” të gjithë atyre që përdorën mekanizmat e tyre kriminale për të penguar “Drejtësinë” që nuk po vjen, legalizimet e bëra në kurriz të të tjerëve, shtetin ligjor, të cilin e kam votuar dhe jo për të dëgjuar vrasësit e kriminelët të ligjërojnë nëpër tribuna dhe podiume si ëngjëj. Do protestoj për një Shqipëri me më shumë dinjitet dhe për t’u dhënë vlerat që u takon njerëzve të aftë dhe të veçantë dhe jo për t’a kthyer vendin në një çiflig, për miqtë dhe fëmijët e tyre, duke na krijuar Zena dhe Jamarbëra pa fund!
Unë s’do mund të protestoja kurrë që të mos të paguhen dritat për një fletë votimi… mos paguajnë taksa bizneset për fushata partie… t’iu përvetësohen pronat në mënyrë abuzive pronarëve të vërtetë nga gjykatat e gjuqe allasoj… e të tjerët të hidhen në rrugë, në mëshirë të fatit ose të lihen për bukën e gojës! Nuk mund të protestoj që Luli të ndërtoj saraje të tjera në Vlorë… s’do të protestoj që të vijë Luli në pushtet me derbeder të tjerë dhe të shesë ndonjë copë tjetër deti… s’mund kurrsesi të protestoj për pushtetin e humbur të hajdutëve, vrasësve dhe tradhëtarëve të këtij vendi, që drejtësia duhet t’ju tregoi vendin!
S’mund të protestoj për ëndërrën e Enverit të vdekur, as për ëndërrën e Saliut, Lulit, Agronit, Fariut, Asllanit dhe Kaçit të gjallë!
Diskutime rreth kësaj post