Nga Miranda Vickers*
Më 31 janar 1925 u shfuqizua Regjenca prej katër anëtarësh dhe Ahmet Zogu u zgjodh president i republikës së sapo shpallur shqiptare, ndërsa Tirana u njoh si kryeqytet i përhershëm i vendit.
Kushtetuta që u miratua u ndërtua në mënyrë të tillë që të rriste pushtetin e Zogut, i cili kishte të drejtë të caktonte dhe të shkarkonte ministrat sipas dëshirës së tij. Zogu menjëherë iu përvesh punës për konsolidimin e pushtetit të tij, duke likuiduar apo detyruar të arratiseshin ish-kundërshtarët e tij më të rrezikshëm.
Luigj Gurakuqi u vra një kafene në Bari; vrasësi i tij shumë shpejt u shpall i pafajshëm. Bajram Curri u ndoq këmba këmbës dhe kufoma e tij u gjet në një shpellë pranë Dragobisë. Pavarësisht se në Tiranë e morën vesh të gjithë se Curri vdiq në duart e agjentëve të Zogut, vendasit këmbëngulnin se ai vrau veten. Shumë udhëheqës të tjerë kosovarë, si fjala vjen Zija Dibra, i cili u qëllua për vdekje ndërsa po përpiqej t’i shpëtonte arrestimit nga policia, pësuan të njëjtin fund të parakohshëm.
Mandej Zogu kurdisi lëvizje për të ndërprerë aktivitetet e Komitetit të Kosovës, i cili përbënte një rrezik për marrëdhëniet e tij të mira me Jugosllavinë. Trupat që kishin qenë besnike të Nolit u çarmatosën dhe u shpërbënë.
Kjo i hapi rrugën Zogut për të vendosur diktaturën e tij. Ishte ky një regjim autoritarist dhe konservator, qëllimi kryesor i të cilit ishte ruajtja e stabilitetit dhe rendit. Prandaj dhe ai u mbështet nga bajraktarët dhe çifligarët, pasi të gjithë atyre u garantohej ruajtja e gjendjes ekzistuese.
Megjithëse jugosllavët kishin mbështetur kthimin e tij në Shqipëri, ata nuk ishin në gjendje t’i jepnin Zogut ndihmë financiare, për të cilën ai kishte shpresuar dhe kishte aq nevojë për të mbajtur në këmbë regjimin e tij. Prandaj dhe ai u detyrua të miratonte një politikë bashkëpunimi me Italinë.
Ndërkohë, një territor që kishte mbetur i diskutueshëm, parandalonte përcaktimin përfundimtar të Shqipërisë. Zona e njohur tashmë si Shën Naum në brigjet e liqenit të Ohrit, vazhdonte të ishte e pushtuar nga trupat jugosllave.
Jugosllavët pretendonin se Zogu ua kishte premtuar këtë territor si shpërblim për mbështetjen që ata i kishin atij për rikthimin në Shqipëri në dhjetorin e kaluar.
Gjithsesi, Zogu e mohoi këtë dhe çështja iu përcoll Konferencës së Ambasadorëve. Problemi u zgjidh përfundimisht duke i dhënë Jugosllavisë Shën Naumin dhe zonat përreth malit të Vermoshit, ndërkohë që Shqipëria mori qytetin fqinj të Peshkopisë dhe disa fshatra të tjerë të vegjël.
Vendosja e monarkisë
I pasigurt për shkallën e mbështetjes nga ana e popullit, Zogu vendosi që ndoshta një monarki do t’i jepte regjimit të tij më shumë siguri dhe vazhdimësi se sa forma republikane e qeverisjes.
Shqipëria ishte i vetmi vend ballkanik që nuk ishte monarki. Prandaj dhe më 1 shtator 1928, Zogu braktisi emrin e tij turk Ahmet, bashkë me ‘u’-në nga Zogu dhe e kurorëzoi veten ‘Zog I, Mbret i Shqiptarëve’.
Ky titull shkaktoi shtangie në Beograd. Ndërsa jugosllavët nuk kishin ndonjë kundërshtim ndaj një ‘Mbreti të Shqipërisë’, ata e akuzuan Zogun për nxitje të prirjeve irredentiste midis shqiptarëve kosovarë duke e quajtur veten Mbret të të gjithë shqiptarëve. Sidoqoftë, ata e njohën atë, në mënyrë që ai të mos shtyhej më tej drejt Italisë.
Për t’i dhënë një peshë solemniteti këtij momenti midis nënshtetasve të tij tejet apatikë, Zogu shpalli tri ditë festime me hedhje fishekzjarresh dhe manifestime ‘spontane’ në qytetet kryesore. Një dekret zyrtar përcaktonte se: ‘E gjithë popullata duhet të marrë pjesë… asnjë burrë apo grua nuk duhet të qëndrojë i ulur nëpër kafene apo restorante gjatë manifestimeve; të gjithë duhet t’i bashkohen manifestimeve popullore’.
Katolikët në veri nuk ishin fort pëlqyes me idenë e një mbreti mysliman. Për të fituar mbështetjen për monarkinë, Zogu i dha çdo oficeri të ri të ushtrisë një gradë më të lartë, një rritje rroge si dhe një uniformë të re plot shkëlqim.
Megjithatë kalimi nga republika në monarki pati pak ndikim në kufijtë e ekzistencës së shumicës së shqiptarëve.
Edit Durhami ka mendimin si edhe shumë të tjerë të huaj se monarkia u vendos kryesisht për të garantuar interesat italiane. Ajo më vonë i shkruante një miku:
“Gjithnjë kam menduar se si Mbreti Zog, aq injorant dhe i pakulturuar, të ishte në gjendje të sundonte me drejtësi, ndaj dhe ishte kjo arsyeja që italianët e lanë atë të bëhej Mbret, në vend që të vazhdonte si President. Me qëllim që ata ta kishin atë vegël të tyre. Si president ai mund të binte dhe në vend të tij të zgjidhej një burrë më i mirë. Por si mbret, ata do ta kishin atë përherë në duart e tyre…”
Kushtetuta e re që u shpall në dhjetor 1928 i dha Mbretit pushtet të pakufizuar legjislativ, juridik dhe ekzekutiv, duke i garantuar Zogut mbizotërimin. Një dokument i përbërë nga 234 nene, kushtetuta shpallte që Mbretëria e Shqipërisë ishte një monarki demokratike, kushtetuese dhe e trashëgueshme.
Ajo nuk ishte një shtet fetar; të gjitha besimet janë të barabarta përpara ligjit. I gjithë pushteti buronte nga kombi dhe trupëzohej te Mbreti dhe parlamenti njëdhomësh. Si mbreti dhe parlamenti kishin të drejtën e formulimit të ligjeve. Interpretimi i mirëfilltë të ligjeve i përkiste pushtetit legjislativ (artikulli 10); zbatimi në praktikë i ishte rezervuar Mbretit.
Procesi zgjedhor vazhdonte të siguronte që vetëm kandidatët besnikë të Zogut kishin shanse për të fituar, për më tepër që partitë politike ishin shpallur të paligjshme. Kështu që vetëm këta kandidatë zgjidheshin gjithmonë. Çdo kandidat duhej të paguante 100 franga ari në zyrat bashkiake para se emri i tij të futej në listë; mirëpo të paktë ishin në gjendje ata që mund të paguanin një shumë të tillë.
Rritja e ndërhyrjes italiane
Përgjatë viteve ’30 Zogu gjithnjë e më shumë u mbështet në ndihmën ekonomike italiane, megjithëse politikanët italianë në mënyrë të përhershme përfitonin nga dobësia ekonomike dhe diplomatike e Shqipërisë. Subvencionet e drejtpërdrejta italiane kishin bërë që qeveria shqiptare të balanconte buxhetin e saj, por me koston që vendi po kthehej praktikisht në një protektorat italian.
Ndërsa Italia filloi të shtrëngonte më shumë vidat ekonomike mbi Shqipërinë, Zogu filloi të frikësohej për pavarësinë e vendit të tij.
Zogu komplotonte pa pushim për të qëndruar në pushtet, duke marrë masa ekstreme për të zhdukur ndonjë tradhti të mundshme. Në fillim të vitit 1933 Hasan Prishtina, një nga udhëheqësit e fundmë të mbetur të Komitetit të Kosovës, u vra në Selanik, pothuajse pa asnjë dyshim me urdhër të Zogut.
Por Mbreti nuk e kishte aq të lehtë të eliminonte masat e fshatarësisë shqiptare, e cila ishte tejet e pakënaqur me regjimin e tij, jo vetëm për dështimet e vazhdueshme të tij për të realizuar reformën agrare.
Në qershor të vitit 1934, flota italiane bëri një vizitë të beftë dhe ta paftuar në Durrës. Italianët filluan tashmë të ushtrojnë një trysni të tillë financiare mbi Zogun, saqë ai u detyrua të rifillonte marrëdhëniet e tij të dikurshme me Italinë, në mënyrë që ajo të mos anulonte huatë që kishte dhënë.
Në gusht të vitit 1935 ndodhi një kryengritje e vogël, por mjaft domethënëse, në qytetin e Fierit, pasi një grup kishte thënë gabimisht se një qeveri revolucionare kishte marrë pushtetin në Tiranë. Lëvizja ishte e përgatitur keq dhe e pa organizuar, e megjithatë ajo bëri që Zogut t’i shkonin drithma.
Martesa e Zogut dhe dhurata e Hitlerit
Me qëllim që të ruante stabilitetin dhe vazhdimësinë e mbretërimit të tij, më 27 prill 1938 Zogu u martua me Geraldinë Apponyi, e lindur më 1915 nga një amerikane, Gledis Stjuart dhe një kont austro-hungarez, Julius Apponyi.
Në dëshpërimin e tij për të gjetur një lidhje të përshtatshme, Mbreti kishte dërguar motrat e tij në Vjenë dhe mandej në Budapest, nga ku ato erdhën me Konteshën Geraldinë Apponyi. Mbreti i kishte lënë një përshtypje konteshës së re kur e kishte parë në një foto që ia kishin dërguar motrat e tij, të cilat e ftuan Geraldinën të vizitonte Tiranën, pas së cilës ai i propozoi asaj.
Dasma ishte mjaft luksoze dhe, midis shumë dhuratave të martesës që mori çifti ishte një Mercedes i gjatë, ngjyrë alle, tepër i fuqishëm dërguar nga Adolf Hitleri. Martesa u prit mirë si në Shqipëri ashtu dhe jashtë vendit.
Pas muajit të mjaltit në Durrës, çifti u vendos në pallatin luksoz mbretëror ekzistues në qendër të Tiranës, i cili shumë shpejt do të bëhej i njohur në Angli si ‘oborri i lodrave’.
Edit Durhami komentoi një udhëtim ekstravagant të pesë motrave të Zogut në Shtetet e Bashkuara: ‘Se pse shkuan Princeshat në Amerikë nuk është e sigurt. Ajo që është e sigurt është se shpenzimet qenë aq të mëdha dhe që fshatarët gjysmë të uritur ndien se ato shpenzime do të kishte qenë më e udhës të bëheshin në Shqipëri’.
Pushtimi italian
Ndërkaq, në qershor 1936, dhëndrri i Musolinit Konti Galeaco Çiano, u bë ministër i Jashtëm i Italisë. Pasi vizitoi Tiranën për herë të parë në prill 1937, ai përkrahu një lëvizje dramatike, e cila ishte kundër prestigjit të lartë të Rajhut gjerman dhe për rritjen e moralit të Italisë.
Çiano ishte për aneksimin tërësor të Shqipërisë nga Italia, e cila, thoshte ai, mund të ofronte strehë për dy milionë italianë. Ai (gabimisht) besonte se ngaqë opinioni publik shqiptar përgjithësisht ishte kundër Zogut, duhej të ishte medoemos pro-italian.
Një plan tjetër i Çianos ishte ideja për ndarjen e Shqipërisë midis Italisë dhe Jugosllavisë. Por kjo ide dështoi për mungesë të interesimit të jugosllavëve, të cilët gjatë viteve ’30 ishin shkëputur gjithnjë e më tepër nga çështjet shqiptare, regjenti i të cilëve, Princi Pavël, nënvizonte: ‘Ne tashmë kemi aq shumë shqiptarë brenda kufijve tanë dhe ata na kanë sjellë aq shumë kokëçarje, saqë unë nuk dëshiroj të rritet numri i tyre’.
Çiano përllogariti madje dhe një komplot ta sajuar për rrëmbimin e Mbretit dhe Mbretëreshës, në një përpjekje për të destabilizuar vendin dhe në këtë mënyrë Italia do të gjente një pretekst për të ndërhyrë për të rivendosur rendin.
Sipas Geraldinës, më 25 qershor 1938 ambasadori italian, në emër të qeverisë së tij, i ofroi Mbretit një jaht me ekuipazh italian. Zogu nuk e pranoi dhuratën, nga frika se mos ushqimi në bordin e tij mund të ishte i helmuar. Në vend të saj, ai tha se mund ta merrte jahtin me qira dhe të bënte një udhëtim deri në Venecia bashkë me disa nga shërbëtorët e tij personalë.
Më vonë Mbreti dhe Mbretëresha dëgjuan se në rast se do të kishin pranuar të zbarkonin në Itali, ata nuk do të lejoheshin të ktheheshin më në Shqipëri.
Në verën e vitit 1938, italianët kontrolluan çdo sektor të rëndësishëm të shtetit shqiptar. Ndërsa Çiano ishte i zënë me planet e kolonizimit, Musolini vuante për të gjetur mënyrën e pushtimit të Shqipërisë.
Një sulm mbi Shqipërinë ishte diskutuar muaj më përpara dhe nga fillimi i shkurtit u vendos që java e pashkëve ishte një datë e mundshme. Por kjo nuk ishte vendosur përfundimisht deri në mesin e marsit, kur Musolini vendosi për pushtimin.
Ai u dha fund dyshimeve të tij për Shqipërinë kur Hitleri pushtoi Çekosllovakinë. Më 25 mars dërgoi një ultimatum ku kërkonte një protektorat zyrtar italian mbi Shqipërinë dhe të drejtën që garnizonet ushtarake italiane të mbronin vendin. Kjo donte të thoshte në të vërtetë humbje e sovranitetit shqiptar.
Çiano e përshkruan ultimatumin si: një marrëveshje e cila, megjithë termat e kortezisë që përmbante, “do të na lejonte ne të bënim aneksimin e Shqipërisë. Ose Zogu pranonte kushte që i kishim vëne ne, ose ne do të bënim pushtimin ushtarak të vendit. Për këtë qëllim ne tashmë kemi mobilizuar dhe përqëndruar në Pulia katër regjimente bersalierësh, një divizion të këmbësorisë, detashmente të forcave ajrore dhe gjithë skuadriljen e parë të flotës detare”.
Më 1 prill 1939 në Tiranë pati një demonstrim masiv anti-italian, ndërsa turmat e irrituara kërkonin armë për të luftuar italianët.
Në një kohë që Mbretëresha priste të lindte, Zogu për të fituar kohë pranoi disa kërkesa të italianëve. Më 5 prill Geraldina lindi një djalë që u quajt Leka. Ditën tjetër luftanijet italiane u dukën në brigjet shqiptare, ndërsa avionë italianë hodhën fletushka mbi Tiranë duke i këshilluar shqiptarët të mos rezistonin. Të gjithë italianët që ndodheshin në Shqipëri ishin grumbulluar në portet e Vlorës dhe të Durrësit gati për të hipur në anije.
Pasi nuk pati asnjë përgjigje nga Zogu për ultimatumin e Musolinit, në mëngjesin e 7 prillit Shqipëria u bombardua befasisht. Mbi 40 mijë trupa italiane zbarkuan në Vlorë.
Ajo pak rezistencë që qenë në gjendje të bënin shqiptarët ndodhi në Durrës nga një grup i vogël i armatosur keq nën udhëheqjen e një oficeri të xhandarmërisë, Abaz Kupit, që rezistoi aq sa mundi deri sa u mposht nga forcat e panumërta përballë tij. Sipas një vëzhguesi:
Kur ndodhi pushtimi, trupat kryesore shqiptare ishin përqendruar pranë Krujës. Qëllimi i tyre ishte mbrojtja e Tiranës dhe kur qyteti të kishte rënë të tërhiqeshin duke luftuar drejt kufirit jugosllav.
Rreth dy javë më përpara, Zogu i kishte kërkuar Beogradit, nëse kufiri do të ishte i mundshëm për arratisje. Ai kishte kërkuar edhe një anije jugosllave për të larguar Mbretëreshën Geraldinë, por nuk mori përgjigje për asnjë nga kërkesat e tij.
Gjeneralët vendosën të ishin të kujdesshëm dhe të mos binin si miu në çark dhe kur italianët me shkathtësi morën rrugën e Elbasanit, ata lëvizën me shpejtësi drejt kufirit grek përpara se ai të ishte mbyllur.
Xhovani Xhiro, më vonë kreu i fashistëve shqiptarë, iu qas Murat Kaloshit nga Dibra dhe vëllait të tij Mushta, duke iu ofruar 20 mijë franga ari të bënin gati zonën e tyre për një revoltë kundër Zogut. Por ata informuan Mbretin për këtë, i cili i këshilloi t’i pranonin paratë e Xhiros dhe të merrnin udhëzime prej tij.
Kur plani dështoi, Musolini filloi të bëjë kërkesat e tij, duke i ofruar Zogut një pallat në Romë si dhe fronin e një ‘Shqipërie të Madhe’ në Athinë. Zogu dëgjoi që Xhiro i kishte dhënë bajraktarit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit, 40 mijë franga, por kur u taksua për këtë, Gjoni telegrafoi duke i shprehur besnikërinë e tij Mbretit dhe i tha se po të kishte armë, le ta lejonte ta provonte këtë.
Tirana vendosi të mos i dërgonte gjë atij!
Zogu në ditën e pushtimit
Meraku kryesor i Mbretit në ditën fatale ishte si të shpëtonte familjen e tij. Mbretëresha dhe djali i saj dy ditësh një orë e gjysmë para pushtimit u nisën me një karvan makinash përmes malesh drejt kufirit grek.
Zogu mandej transmetoi një mesazh për popullin e tij duke i kërkuar të vazhdonte të luftonte, por të paktë ishin ata që kishin radio ndaj dhe të paktë ishin ata që e dëgjuan thirrjen e tij. Përpjekja e tij përfundimtare për të biseduar me italianët qe krejt e kotë, ndaj dhe ai mandej mori vendimin fatal të ndjekë gruan e tij në arrati.
Duket se pamundësia për të bërë luftë guerile në male bëri që Mbreti të zgjidhte largimin nga Shqipëria sa më shpejt të ishte e mundur.
Para se të linte pallatin ai shkoi krejt i vetëm drejt kasafortës gjigande në zyrën e tij dhe mbushi një mori arkash me napoleona floriri. Sipas raporteve të asaj kohe të Forin Ofisit britanik, kjo shumë llogaritej në rreth 50 mijë lira stërlina, gjithçka që kishte mbetur nga pasuria personale e tij, e krijuar nga shitja e pronave të familjes në disa vite.
Me një shpurë të anëtarëve të qeverisë, më shumë se pesëqind oficerë të komandës së lartë, bashkiakë dhe këshilltarë – gjithsej rreth dymijë vetë, mbreti kaloi kufirin dhe hyri në Greqi. Ai nuk do të shkelte kurrë më në tokën shqiptare.
Diskutime rreth kësaj post