Sipas Bankës Botërore, Shqipëria u ka mundësuar bizneseve që të deklarojnë online tatimin mbi vlerën e shtuar, tatim fitimin dhe kontributet e sigurimeve gjatë këtij viti.
Kjo ka ulur kohën vjetore që harxhon një biznes për të paguar taksat, nga 357 orë në vit që ishte vitin e kaluar në 261 orë këtë vit. Banka thotë se falë këtij përmirësimi Shqipëria ishte një nga 5 vendet me uljen më të madhe të kohës për pagesën e taksave.
Por pavarësisht këtij rezultati, sërish pagesa e taksave i merr biznesit më shumë kohë se sa mesatarja e rajonit, ku ky tregues është 233 orë në vit.
Edhe pse Shqipëria ka patur taksa të ulëta, renditja e saj në raportin global të taksave ka qenë historikisht negative për shkak të burokracive të mëdha dhe procedurave torturuese që rrisin koston e biznesit.
Vitin e kaluar, Shqipëria renditej në vendin e 142-të ndër 189 ekonomi të botës për nga sistemi tatimor. Por këtë vit, sipas Bankës Botërore, renditja është përmirësuar në vendin e 125 dhe madje nëse merret parasysh edhe rimbursimi i TVSH-së, një tregues i ri që matet për herë të parë këtë vit, atëherë Shqipëria klasifikohet e 97-a ndër 189 ekonomi të botës.
I gjithë përmirësimi ka ardhur nga ulja e kohës për pagesën e taksave, ndërsa treguesit e tjerë si ai i taksës totale mbi fitimin dhe numrit të pagesave mbeten të pandryshuara.
Sipas raportit, një biznes në Shqipëri i duhet të paguajë 36.5 për qind të fitimit si taksa në shtet, nga 34.2 për qind që është mesatarja e rajonit dhe të kryejë 34 pagesa në një vit nga 18.4 që është mesatarja rajonale.
Diskutime rreth kësaj post