Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi bën të ditur se po vijon operacioni nga IKMT për pastrimin e vijës bregdetare. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Çuçi bën me dije se IKMT krahas shembjes së ndërtimeve pa leje dhe pastrimit të inerteve, ka vendosur 67 milionë lekë gjoba për 44 subjekte.
Ai ndër të tjera u bën thirrje qytetarëve që mos mendojnë më të ndërtojnë dhe të zabtojnë prona pa leje.
“Që prej nisjes së operacionit dhe deri më sot Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit krahas shembjes së ndërtimeve pa leje dhe pastrimit të inerteve, ka vendosur 67 milionë lekë gjoba për 44 subjekte. IKMT dhe Policia e Shtetit po vijojnë operacionin sipas planit të punës në ato zona të bregdetit ku janë evidentuar objektet e ngritura në shkelje të ligjit.
Po e pastrojmë të gjithë vijën bregdetare nga Velipoja në Ksamil, me bindjen se kjo është rruga e duhur për të mbrojtur këtë pasuri tonën të përbashkët dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Gjej shesh të lirë, zapto e ndërto pa leje, të mos e mendojë më askush” – shkruan Çuçi në postimin e tij.
Diskutime rreth kësaj post