Tatjana, e cila për mbiemër mban atë të bashkëshortit, Bajraktari, është lindur dhe rritur në Ukrainë.
Kur ishte 21 vjeçe njihet me një djalë shqiptar i cili studionte në vendin e saj të lindjes, dashurohet dhe sot ata janë të martuar dhe prindër të dy vajzave.
Nuk do e kishte menduar asnjëherë që këtë vend do ta donte po aq sa personin që ka në krah. Shqipëria për të ishte një surprizë e bukur.
Tetë vite më parë, ajo vjen në Shqipëri dhe fillon ta zbulojë dalëngadalë atë. Aq shumë i pëlqeu sa më vonë themeloi një agjenci për të ftuar të huajt, rusët dhe ukrainasit që të vijnë në vendin tonë si turistë. Prej katër vitesh ajo është kthyer në promovuese të Shqipërisë në vendet rusisht folëse. Pret dhe përcjell me qindra prej tyre në vit duke i shpjeguar me shumë dashuri se sa i bukur është ky vend. Ajo thotë me bindje që e ardhmja e këtij vendi është turizmi, ndaj do të duhet të punohet shumë në këtë drejtim për t’i bërë turistë të largohen të kënaqur. Nëpërmjet kësaj intervista për Dita-n, Tatjana na mëson ta duam dhe ta promovojmë më shumë vendin tonë.
-Tatjana, ku ke lindur?
Kam lindur në qytetin e bukur Kiev (Ukrainë) dhe deri në momentin e largimit tim për në Shqipëri kam jetuar në këtë qytet. Në Kiev jetojnë prindërit e mi, motra ime më e madhe si dhe mbesa ime (vajza e motrës).
-Kur ke dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë?
Për herë të parë për Shqipërinë kam dëgjuar gjatë kohës kur mësoja në shkollë në lëndën e gjeografisë, por pa pasur asnjë ide apo ndonjë hamendje se një ditë unë do të vija dhe të jetoja në këtë vend. Pastaj pas njohjes time me bashkëshortin tim Bledin, kam dëgjuar shumë dhe fillova të interesohesha duke lexuar, marrë informacione për Shqipërinë.
-Bledi ishte i pari shqiptar që ti njihje nga afër?
Po, Bledi ishte shqiptari i parë jo vetëm që u njoha nga afër, por dhe i pari shqiptar që kisha takuar në jetën time. Në Ukrainë nuk jetojnë shumë shqiptarë të cilët mund të kesh rastësinë që të takohesh apo të njihesh me ta. Njohja me Bledin që në momentin e parë më la përshtypjen e një djali shumë të mirë dhe në vazhdim unë kisha dëshirë ta njihja atë nga afër.
-Çfarë të pëlqeu më shumë tek ai?
Bledi në atë kohë ishte student dhe unë gjithashtu, por ai ishte ndryshe nga të tjerët, ai ishte shumë inteligjent, një djalë që kishe dëshirë të gjendeshe në praninë e tij i cili nuk të linte të mërziteshe, ai ishte gjithmonë shpirti i shoqërisë etj., etj. Por mund t’ju them se njohja jonë ishte një dashuri me shikim të parë.
-Familja e pranoi lehtë që ti të lidhje martesë me një shqiptar, cili ishte reagimi i tyre i parë?
Unë jam rritur në një familje intelektualësh dhe për prindërit e mi lidhja ime me një shqiptar apo ukrainas nuk ka qenë kryesorja. Problemi i vetëm ishte që në atë kohë për Shqipërinë dhe shqiptarët kishte një opinion të keq tek ne, kjo edhe nga që kishte shumë pak informacion apo edhe shumë informacione jo reale për Shqipërinë dhe shqiptarët. Prindërit e mi pas njohjes edhe me Bledin sigurisht që e pranuan këtë lidhje. Për më tepër ata gjithmonë kanë patur besim tek unë dhe te zgjedhjet e mia.
-Dasma juaj ka qenë tradicionale ukrainase apo shqiptare?
Dasmën e kemi bërë në Kiev. Dasma ka qenë e përzier me tradita si edhe me muzikë gjatë banketit. Ditën e dasmës burri vjen dhe merr nusen në shtëpinë e saj dhe nga aty nisen për të bërë edhe celebrimin zyrtar dhe pas kësaj çifti del shëtitje me makina (karvan) nëpër qytet në vendet më të bukura si dhe në vendet historike së bashku me shoqërinë. Pas kësaj shkohet në banket. Në rastin tonë Bledi ka ardhur i shoqëruar në shtëpinë e prindërve të mi për të më marrë mua, pas kësaj ne kemi shkuar në gjendjen civile për të bërë celebrimin. Pas celebrimit ne kemi dalë shëtitje të shoqëruar edhe nga shoqëria me makina dhe më pas Bledi më ka çuar në shtëpinë ku jetonte dhe ku më priste te pragu i portës me mjaltë në dorë mamaja e tij (siç është edhe zakoni shqiptar). Më pas ne kemi vajtur në drekë. Gjatë banketit kemi patur muzikë dasme edhe ukrainase edhe shqiptare. Mund t’ju them se kërcimi i parë i çiftit ka qenë Napoloni. Pra siç e kuptoni ka qenë një dasmë e përzier me zakone shqiptare dhe ukrainase.
-Ju si fillim keni jetuar në Ukrainë, pse vendosët të vinit e të jetonit në Shqipëri?
Ardhja jonë në Shqipëri ka qenë një vendim i marrë kryesisht nga Bledi. Pas përfundimit të masterit të dytë të Bledit në vendosem të vinim të jetonim në Shqipëri, në atë kohë ne kishim edhe vajzën e parë që ishte disa muajshe.
-Si t’u duk ky vend në momentin e parë që erdhe, ditët e para, kontaktet e para me njerëzit, përshtypja e parë?
Në momentin e parë Shqipëria dhe njerëzit për mua ishin një enciklopedi që më priste që të mësoja. Ditët e para ishin ndoshta akoma të pakuptueshme për mua sepse pranë meje gjithmonë ishin njerëzit e Bledit që mundoheshin të komunikonin mua edhe gjeste. Ata nuk më linin të mërzitesha. Me Bledin dhe me vajzën tonë dilnim shpesh dhe lëviznim nëpër qytete të ndryshme. Me kalimin e kohës u mësova dhe e kisha më të lehtë. E rëndësishme për mua në atë kohë ishte që unë isha pranë njeriut për të cilin unë vendosa të vij dhe të jetoj në Shqipëri.
-E ke vizituar Shqipërinë?
Po shumë. Pothuajse të gjithën.
-Fshati apo qyteti që pëlqen më shumë?
Më shumë?! Mua e gjithë Shqipëria më pëlqen shumë. Në çdo skaj të Shqipërisë ka vende dhe tradita të mrekullueshme me dallimet dhe me të veçantat personale të vendeve dhe njerëzve që jetojnë aty. Por meqë ju e doni që unë të përzgjedh, atëherë po ju them se nga fshatrat është Thethi dhe nga qytetet po përzgjedh dy, Shkodra dhe Saranda.
-Cilat janë ato gjëra që të duken të çuditshme në këtë vend?
Shqiptarët janë një popull që për nga historia ngjason edhe me popullin e Ukrainës. Janë popuj që gjithmonë kanë dashur t’i pushtojnë dhe t’i mbajnë nën vete pushtuesit e huaj. Por një nga karakteristikat e spikatura të popullit shqiptar është mikpritja. Ndërsa një nga gjerat që më duket pak e çuditshme është se shoh baret gjithmonë plot dhe shumë rini që kalojnë kohën e tyre në çdo orë të ditës në këto bare. I bëj pyetje vetes, kur studiojnë këta të rinj? Kur shkojnë në punë? Mua më duket e çuditshme të kalosh kaq shumë kohë në bare.
-Tradita më interesante që ke hasur këtu?
Një nga traditat më interesante që unë kam hasur mund të them që kur vijnë mysafirë në shtëpi duhet që nusja t’i qerase me tabaka si dhe gjesti i lënies së lekëve në tabaka apo në filxhan. Kjo më është dukur interesante dhe pak e çuditshme sepse tek ne nuk janë këto tradita.
A ka nga ata që të thonë: ç’pate që u martove me një shqiptar?
Po, patjetër ka. Shumica e tyre janë gra të cilat ma kanë bërë këtë pyetje.
–Sipas teje si janë shqiptarët?
Shqiptarët janë mikpritës, janë bujarë, besnikë, pak gjaknxehtë, dinë të falin siç dinë edhe të marrin hak, ata janë patriotë që e duan vendin e tyre. Mund të them që janë një popull me një të kaluar të vështirë, por me një të ardhme të ndritur.
-Por Tatjana, së bashku me bashkëshortin keni themeluar një agjenci që ftoni të huajt, më saktë rusët dhe ukrainasit që të vijnë dhe të vizitojnë Shqipërinë, çfarë ju shtyu për të hapur këtë biznes?
Kur erdha në Shqipëri, u njoha me bukuritë e saj. Kam qenë e mahnitur me bukuritë që natyra ia ka falur Shqipërisë. Duke qenë se në Ukrainë dhe në shumë shtete të tjera rusishtfolëse për Shqipërinë kishin një mendim jo pozitiv në atë kohë, si dhe kuptohet për këto bukuri as që nuk kishin dijeni, vendosem të hapnim me bashkëshortin tim këtë biznes për t’i paraqitur dhe për t’i njohur ukrainasit dhe jo vetëm ata, me këto bukuri natyrore që ka Shqipëria. Kemi realizuar shumë reklama vizive, dokumentarë historiko-kulturorë nga te gjitha skajet e Shqipërisë dhe pak nga pak ia kemi dalë të ndryshojmë ato stereotipe (mendime negative) që kishin për Shqipërinë ukrainasit si dhe disa nga vendet e tjera rusishtfolëse.
-Çfarë u sugjeron ti bashkëkombësve të tu, për të vizituar këtë vend, çfarë karakteristikash pozitive i rendit?
Shqipëria ka një potencial gjigant turistik dhe për këtë duhet punuar shumë në çdo hallkë të sferës turistike, ajo duhet reklamuar pafund dhe duhet zhvilluar e gjithë infrastruktura e dhënies së këtij shërbimi deri arritjen e standardeve ndërkombëtare. Për t’ia sugjeruar bashkëkombësve të mi si dhe turisteve rusishtfolës për të vizituar Shqipërinë, ne kemi marrë pjesë në shumë panaire për turizmin që organizohen në këto shtete dhe këtë e kemi bërë pa ndihmën e shtetit shqiptar. Këtë e kemi bërë në mënyrë që të ishim të pranishëm dhe t’u thonim atyre që Shqipëria nuk është ajo që ju njihni, por se ka një Shqipëri që ju nuk e keni parë dhe ja ku janë këto bukuri që gjenden atje, dhe; mirë se të vini në Shqipëri.
A është ky target-grup turistësh potencial i rëndësishëm për Shqipërinë?
Ne jemi operator turistik që kryejmë vetëm in coming, pra që sjellim turistë të huaj në Shqipëri, dhe turistët tanë vijnë me avione charter back to back çdo 10-11 ditë, dhe zgjasin nga fund maji ose fillim qershori deri në fund të shtatorit. Si për ne ashtu edhe për shtetin shqiptar është shumë e rëndësishme që këto tipe turistësh të vijnë sa më shumë sepse këta janë ata që vijnë dhe shpenzojnë më shumë sesa turistët sporadikë që hyjnë dhe dalin në territorin shqiptar brenda një dite, këtu unë kam parasysh turistët një ditorë me anije kroçera apo me autobusë që hyjnë nga pika të ndryshme kufitare tokësore.
-A e pëlqejnë ata Shqipërinë, largohen prej këtej të kënaqur?
Turistët që ne sjellim janë të grupmoshave të ndryshme dhe dëshirat e tyre gjatë pushimeve janë të ndryshme. Atyre u pëlqen shumë Shqipëria, vendet turistike ku i çojmë nëpër ekskursione, kuzhina, kultura, këngët dhe vallet tona popullore e shumë e shumë gjëra të tjera që Shqipëria mbart në vetvete. Disa nga turistët që ne kemi sjellë në vitet më përpara, janë kthyer për së dyti, por ka patur raste edhe për së treti. Shqipëria ka mundësinë e ofrimit të dy deteve që janë të ndryshëm dhe turistët tanë kanë patur mundësinë dhe i kanë kaluar pushimet e tyre në të dyja detet.
-A ka diçka që nuk shkon në turizmin tonë, çfarë duhet të përmirësohet?
Turizmi shqiptar ka shumë punë për të arritur standardet ndërkombëtare, por asgjë nuk është perfekt në asnjë vend të botës. E rëndësishme është që ne të gjithë së bashku edhe me instancat turistike shtetërore të bëjmë më të mirën për të zhvilluar në maksimum dhënien e shërbimit turistik. Veç e veç pa u konsultuar nuk arrijmë asgjë, por siç ka filluar tashmë edhe konsultimi me sektorin turistik privat, mendoj që të gjithë së bashku do ia dalim.
-Pse do të vazhdoni t’i ftoni rusët dhe ukrainasit të vizitojnë vendin tonë?
Vendi ynë (tashmë edhe i imi) mund të propozojë turizëm të çdo lloji sepse i ka mundësitë që ia ka ofruar natyra, problemi qëndron që ne të mund të sjellim këtu turistë ukrainas, rusë apo edhe të vendeve të tjera të lindjes sepse janë turistë që kanë mundësinë të shpenzojnë diçka më shumë sesa të tjerët, dhe sidomos turistët rusë. Këtë fakt e dëshmojnë edhe vende të tjera në botë që mirëpresin turistë nga e gjithë bota, që turistët nga lindja janë ata që duan t’i afrojnë të gjithë. Por që të arrijnë të vijnë në masë këta turistë, ne duhet të zhvillojmë dhe të arrijmë standardet për të përmbushur kërkesat e këtyre turistëve.
Tatjana, përveç këtij angazhimi, si ndiheni si nënë e dy vajzave dhe si e kalon ditën me to?
Unë jam ndoshta nëna më e lumtur në botë. Kam dy vajza që janë frymëzimi dhe qëllimi i jetës time. Mundohem me ta të kaloj sa më shumë kohë të jetë e mundur. Gjatë sezonit turistik veror e kam shumë më të vështirë, kuptohet nga vetë puna që rritet shumë gjatë kësaj periudhe, por mund të them që jam në kontakt gjatë gjithë ditës me to. Ata janë dy motra të cilat shkojnë shumë mirë me njëra-tjetrën dhe duhen shumë. Janë si dy shoqe.
-Edhe diçka, ne në Shqipëri, pyesim shpesh, se dimë që është një marrëdhënie delikate: si i ke marrëdhëniet me vjehrrën?
Shumë të mira, madje të shkëlqyera mund të them. Ajo më konsideron mua si vajzën e saj, por edhe unë e dua njësoj si mamanë time. Për njëra-tjetrën jemi si dy shoqe.
Diskutime rreth kësaj post