Nga Mero Baze
Presidenti Ilir Meta e nxorri “merakun” me Visho Ajazin. Ish-shefi i Shërbimit Sekret, i cili la pa tekst Berishën dhe Metën një muaj më parë, kur fare papritur dha dorëheqjen, duke i hapur rrugë Edi Ramës të emërojë zëvendësin e tij në atë detyrë, sot u rikthye në Presidencë për të marrë një dekoratë të lartë, “për luftën kundër kanabasit”. Është padiskutim një gjetje brilante e Ilir Metës, mënyra se si të hakmerrej për befasinë që dyshja Rama-Ajazi i krijuan muajin e parë në pushtet, duke e gjetur të papërgatitur.
Meqë u pa qartë se Edi Rama e bëri zëvendësimin e Ajazit me lehtësinë e padurueshme të njeriut që nuk ka asnjë problem me emrat, por objektivat e tij, Ilir Meta po përpiqet t’i kthejë reston, për t’i treguar që Vishon mund ta përdorë dhe ai.
Dhe sot i dha një dekoratë të lartë për një meritë që as Vishua vetë nuk e ka theksuar. Është fjala për informacionin që shërbimi sekret ka dhënë për mbjelljen e hashashit në Shqipëri. Ideja është që qeveria e ka pasur këtë informacin, por nuk ka dashur të veprojë. Në fakt, SHISH ka informuar vetëm Nishanin dhe Berishën, dhe ata, për t’u dhënë atë që donin të dëgjonin.
Pra, në një farë mënyre, Ilir Meta është duke i thënë Edi Ramës se Visho është dikush që ka punuar kundër teje. Dhe Visho, njësoj siç ka pranuar dorëheqjen dhe emërimin nga Edi Rama ambasador, ka pranuar po ashtu dhe dekoratën kundër Ramës.
Pas kësaj, Ilir Meta me siguri që do ta dekretojë si ambasador, pasi tani Visho nuk “është vetëm i Ramës”, por dhe i tij.
Lulzim Basha ndoshta ka dhe ai merakun e vet për ta përdorur emërimin e Vishos, por ka pak hapësirë që ta bëjë këtë.
Mund të thotë përshembull, që “na ka informuar në kohë për Balilin, apo Habilajt”, që kështu ta vërë në siklet me Metën e Ramën. Ose të thotë që meriton të shkojë në NATO, pasi me radarët e NATO-s, ka përgjuar Habilajt në det.
Diçka duhet ta bëjë dhe ai, që të kompletohet skema, se në çfarë filtrash duhet të kalojë një ambasador në Shqipëri, për të shkuar në detyrë.
Në gjithë botën, në poste të tilla emërohen njerëz dinjitozë, për të cilët palët politike japin konsesusin për shkak të respektit.
Në Shqipëri, për të bërë një emërim të tillë “konsensual”, palët duhet ta poshtërojnë të gjitha me radhë kandidatin, që të quhet i përshtatshëm. Dhe Visho është gati t’ua nxjerrë merakun të gjithëve.
Diskutime rreth kësaj post