Ndoshta për brezat e dekadave të fundit ky fenomen është i panjohur dhe jashtë çdo koncepti, por sot në ditën e të dashuruarëve, Pjetër dhe Marta Nikolla kanë treguar si ka rezultuar e sukseshme fejesa që në djep.
Çifti janë bashkë tashmë prej 64 vitesh dhe prindër të 5 fëmijëve që i kanë bërë edhe gjyshër.
“Familjet tona njiheshin se halla e Pjetrit ishte në fshatin tonë e martuar. Nënën time e kishte shoqe të ngushtë siç ishin gratë atëherë, shkonin jashtëzakonisht mirë. Kur linda unë, i tha nënës sime:
‘Shyqyr që nuk lindi çun, po lindi goc se unë do ta marr për djalin e vëllait’. Ngeli ajo fjala pastaj. U bëra një vjeç dhe erdhën siç janë zakonet, sollën një unazë dhe një shami katrore. Atë unazën e mbajti nana, kurse atë shaminë e grisa unë, nuk e ruajta se nuk e kuptova. Kemi 7 vite diferencë.
Ka qenë burrë i bukur, simpatik, i zgjuar, tip i hedhur shumë. Më ra fat i mirë mua, por edhe këtij nuk i ka rënë keq. Jemi mirëkuptuar gjithë jetën, nuk kemi mbajtur inate njëri-tjetrit.”, u shpreh Marta.
“Ne shkonim te halla dhe halla e kishte shtëpinë afër asaj familje ku ne ishim lidhur. Ne kishim miqësi të vjetër me atë familje. Baza e familjes kur kërkoje një lidhje për fejesë dhe për martesë ishte ajo. Pra, kur kërkoje një vajzë ta merrje për djalin duhet të zgjidhje familjen. Edhe familja ishte e zgjedhur sepse për arsye se njiheshin. E ëma e Martës ishte nga një familje e mirë, vjehrra ime ishte motra e mësuesit të popullit, që ka hapur shkollën. Kështu që ishte një familje e njohur.
Ishte disi e veçantë kjo lidhje. Këtu nuk kishte të bënte fare shkesia, por kishte të bënte me miqësinë e vjetër. Ne meqënëse shkoja unë te halla dhe prindërit ma kishin këtë histori, më prisnin mirë dhe ne e shikonim njëri-tjetrit. Kjo i ulte sytë se ishte më e ndrojtur, ndërsa unë e shihja. Ishte punë opinioni. Ishte shumë e bukur. Unë kam provuar një dashuri të ndrydhur. Ne vetëm e shikonim njëri-tjetrin, nuk dilnim për shkak të opinionit”, tregoi Pjetri.
Diskutime rreth kësaj post