Thonë se vetëdija e një kombi formohet përmes legjendash. Në këto 28 mijë kilometra katrorë, 100 vjet pas “Legjendës së Misrit”, na u desh të përballeshim me “Legjendën e të dytëve pas Gjermanisë”. Sot, miti më në modë është ai i shtetit që po ndërtohet gur pas guri si Kalaja e Rozafës, me ndryshimin e vetëm që muret e tij nuk po shemben më natën.
E vërteta absolute është se për mijëra shqiptarë të varfër, bërja e shtetit kalon nga stomaku. Nëse në emër të këtij shteti, pagimi i dritave, ujit apo taksave, të zbraz edhe atë pakogjë nga pjata e përditshme, atëherë mallkuar qoftë ky “përbindësh” që ushqehet mbi kurrizin e tyre.
Nga veriu në jug, mund të gjesh në çdo qytet, qytezë e fshat të vendit, shqiptarë që nuk duan t’ia dinë për vetingun, për luftën për drejtësi sociale, për reformën administrativo-territoriale apo për konceptin abstrakt të investimeve të huaja direkte, e çdo statistike të shprehur me përqindje nga pas.
Fjalë boshe, në bark të zbrazur. Ishte pikërisht edhe ky thelbi i notës vetëm kaluese, që Kryeministri Rama i vendosi vetes ditën e djeshme në Asamblenë e Partisë Socialiste. Një notë kaluese, sepse pavarësisht se 210 mijë të punësuarit e këtyre katër viteve kanë emër dhe fytyrë, mbeten shumë të tjerë që ende diskutojnë mbylljen e muajit apo bukën e fëmijëve të tyre.
“Mbetet edhe shumë për të bërë”, ishte motoja që përshkroi fjalimin e kreut të qeverisë nga fillimi deri në fund. Pa dyshim, ka disa mijëra syresh të margjinalizuar nga “sistemi”, por ndërsa reforma energjitike ka goditur shumë të varfër, ajo do të na godiste të gjithë neve nëse energjia do të tërhiqte në kolaps të gjithë shtetin, duke falimentuar financat tona të varfëra. Kështu do të mbeteshim të gjithë pa rroga e pensione, e rrjedhimisht pa shërbime, duke u kthyer në mesjetë!
Pa dyshim, reforma e pensioneve ka shtyrë moshën e daljes në pension dhe ka ngjallur edhe ajo pakënaqësi, por pa të, të gjithë ata që do të dilnin në pension neser thjesht do t’i shtoheshin “armatës” së të mjeruarve, me pensionin e tyre që pa këtë reformë do të ishte më i ulët se vetë minimumi jetik.
Pa reformën territoriale, që me shumë gjasë askush nga të varfërit e këtij vendi nuk e di se çfarë është, do të vazhdonim të kishim një kaos kompetencash dhe abuzimesh në të gjithë bashkitë e komunat e vendit. Reforma ishte e domosdoshme për të siguruar zhvillimin e të gjithë rajoneve si një i tërë, pa krijuar ato ndasi mes periferisë, qendrës dhe fshatit, që kanë prodhuar kaq shumë mjerim në të gjithë këto vite.
Me një polici që mbulonte vetëm gjysmën e territorit të vendit, çfarë investimesh dhe punësimi mund të garantohej në gjysmën tjetër matanë kësaj perde “të hekurt”, që ndante si me thikë “dritën” nga “errësira”. E kështu me radhë, me të gjithë reformat e tjera.
Gjithçka është bërë ka pasur kosto dhe pa dyshim, kostot e papërfillshme të të pasurve, janë kosto pothuajse të pakapërcyeshme për shumë të drobitur nga varfëria. Ndaj, 210 mijë vende pune që përkthehen në realizimin e vetëm 2/3 të premtimit për 300 mijë vende pune i meritojnë kësaj qeverie vetëm një notë kaluese.
Një notë kaluese, asgjë më shumë sepse nuk mund të ketë tjetër notë kur në shekullin XXI ka ende bashkëkombas tanët që nuk shtyjnë dot muajin. E megjithatë, një notë inkurajuese edhe sepse të bërit shtet me miellin e prishur që u gjet në 2013-n nuk ishte aspak e lehtë.
Lajmi i mirë është se shteti në emër të të cilit u shtuan vuajtjet ka lindur. Nuk do të duhet të durojmë më vuajtjet e lindjes, por vetëm barrën e rritjes së tij. E thënë ndryshe, tashmë ky palo shtet nuk zvarritet më si një foshnje, por ka nisur të ecë vetë. Rritja ekonomike është përshpejtuar dhe kjo krijon më shumë punësim, pensionet janë rritur dhe kjo godet direkt varfërinë, investimet e huaja në 2016-n shënuan një rekord të ri, shenjë e besimit të rigjetur tek ekonomia shqiptare, energjia jo vetëm që nuk thith më para nga buxheti i shtetit, por arrin të derdhë direkt të ardhura në të. Të ardhura shtesë për rrugë, shkolla, spitale…
Të gjitha këto krijojnë më shumë punësim. Ky nuk është aspak lehtësim për atë që ende sot është i papunë, por të paktën, retë e zeza që kërcënonin në horizont janë shpërndarë. Përtej metaforës, ky “ekuacion” i ri shkak-pasojë, do të thotë se tashmë ai i papunë, ashtu si dhe shumë të tjerë si ai, nuk është më i dënuar me varfëri të përjetshme. Përsëri nuk mjafton, fundja asgjë nuk do të mjaftonte, por për herë të parë, duket se ilaçi ndaj papunësisë, nuk është më një legjendë apo një mit i ri, por një paketë, që sado e dhimbshme po arrin të luftojë sëmundjen që në origjinë./Lexo.al
Diskutime rreth kësaj post