Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla nuk i ndahet akuzave ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për hetimin e krimeve të supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zoti Balla ka postuar një video në rrjetin social “Facebook”, me dëshmi nga intervista e Adnan Merovcit në Hagë, ku kishte thënë se Bashën e njihte si përkthyes, por për habi ai nuk figuronte si përkthyes në listën zyrtare të Gjykatës së Hagës. Kështu që Balla duke përfituar nga rasti i kërkon llogari Bashës, duke i thënë se ndodhej në dhomën ku pyetej shoqëruesi i Rugovës në Hagë.
“Hapen dosjet dhe dalin dokumentet e Hagës. Me çfarë statusi gjendej Lulzim Basha në dhomën ku pyetej shoqëruesi i Rugovës në Hagë, në vitin 2000? Pse Adnan Merovci u pyet nga gjykatësi për Lulzim Bashën dhe statusin e tij? Pse “përkthyesi” Lulzim Basha nuk ishte një përkthyes i listuar tek lista zyrtare në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës? Kujtojmë se Adnan Mervoci, ish-shoqëruesi i Presidentit Ibrahim Rugova është pyetur në Gjykatën e Hagës në seancën gjyqësore kundër Vlastimir Djordjevic, ish-Zëvendësministër i Brendshëm i Serbisë, përgjegjës për shumë krime në Kosovë. Merovci dëshmon se është pyetur për një çështje tjetër ndaj ish-Presidentit Milutinoviç dy herë, një herë në Prishtinë e më pas në Hagë në prill të vitit 2000”, shkruan ai.
Ndërkohë ditën e djeshme, drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Gledian Llatja zhvilluan takime me bizneset e vogla në lagjen “Skënderbej” në Elbasan, e njohur ndryshe si zona e Fushë Mbretit. Balla ndau dy lajme të mira për bizneset e kësaj zone. Së pari nisjen e rikonstruksionit total të rrugës “Iljaz Kosova”, rruga kryesore e lagjes “Skënderbej”, e cila do ta shndërrojë krejtësisht zonën dhe do t’i japë frymëmarrje biznesit. Projekti i Bashkisë së Elbasanit është financuar nga qeveria shqiptare dhe tashmë nis investimi, i cili do të bëhet sipas të gjitha parametrave të kërkuara, duke përfshirë kanalizime, ndriçim e gjelbërim. Prej shumë kohësh banorët e Fushë Mbretit e kishin kërkuar këtë rrugë e cila gjithashtu do të përfshijë edh qendrën e lagjes, duke u kthyer në një miniqytezë në pjesën jugperëndimore të Elbasanit. Ndërsa lajmi i dytë i mirë që Balla ndau me ta është zerimi i taksave, duke nisur që nga 1 Janari i vitit 2021.
“Kjo masë e ndërmarrë nga qeveria do të çlirojë tërësisht bizneset nga tatim fitimi dhe TVSH-ja. Pavarësisht vitit të vështirë që pandemia ka krijuar në të gjithë botën, masat lehtësuese të qeverisë kanë zbutur efektet negative tek biznesi”, deklaroi Balla.
Diskutime rreth kësaj post