Aleanca Popullore për Drejtësi, ka reaguar sot për marrëveshjen PS-PD. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Orkid Spahiu, në një deklaratë për mediat, shprehet se marrëveshja mes PS dhe PD është një teatër i turpshëm.
Deklarata e plotë:
Të nderuar miq,
Këto ditë kemi qënë prezent në një teatër të turpshëm përkundrejt demokracisë Shqiptare. Edhe kësaj here krerët e kastës politike të PPSH-së u bënë bashkë kundër interesave të popullit, kundër aspiratave të ndershme opozitare mbi 7 dekada të elektoratit të djathtë të pa përfaqësuara kurrë.
Perdja ra!
Në këtë lojë të madhe e të fshehtë në këtë Pazar bizantin me plotë kuptimin e fjalës, tamam në bunkerin ku 50 vite mbretëroi kreu i diktaturës, u firmos sipas një interesi të ngushtë, cinik dhe amoral, vetëm për të përfituar bashkësia politike e formuar nga Ramiz Alia.
Për çdo shqiptar të ndershëm, mund të them që turpi e mbuloi Shqipërinë dhe ndjehem vërtetë keq, teksa shikoj që ëndrra jonë për respektim të shtetit ligjor, vlera dhe standarte perëndimore të funksionimit të tij, dinjiteti i të parëve tanë, dhe qëndresa e tyre për gjithë periudhën e diktaturës dhe post saj, u shkërmoq.
Turpi e mbuloi këtë vend, me takime të pafund për 3 muaj gjoja konsensus, qeveri teknike, Republikë e Re, thirrje për dhunë e shkatërrimë të shtetit Shqiptar dhe të gjitha këto u zhdukën në eter si një flluskë sapuni në prag mbrëmjen e 17 Majit, ku ju vu vula pazarit, pa biseda paraprake, pa aleatë, në terr të plotë informativ, pa mbështetësit që u sakrifikuan për njërën palë
Ky elektorat i sakrifikuar, nga sot është jetim, është pa përfaqësim në këtë pazar, është i lënë në mëshirë të fatit, është i keqpërdorur, si këtu e 27 vite nga diletantë që kanë parë vetëm interesin e tyre të ngushtë klanor.
Si sot 15 vite më parë, pas marrëveshjes famëkeqe të fshehtë Nano – Berisha (në 2002) që forcoi bipolarizimin politik vjen në skenë një tentativë ogurzezë, e liderave të orkestruar të PPSH-së për ta ripërsëritur dhe forcuar këtë bipolarizimin, duke patur vetëm një viktimë, elektoratin e djathtë.
“Republika e Re” ra në ditën e saj të katërt!
Lufta kundër kanabizimit, për zgjedhje të lira e të ndershme dhe garancitë e kërkuara u përkthyen me 6 Ministri, 4 Drejtori sensitive për interesin publik (3 mujore), dhe “mbrojtësin” e popullit dhe kryesimin e administratës politike KQZ.
E gjithe kjo maskaradë u luajt për tu siguruar dhe njëherë që pushteti dhe shteti do të menaxhohen nga partitë e mëdha pjellë e diktaturës, parti pa kauza kombëtare me vendimmarrje dhe shërbim të pushtetit të vjetër.
Asnjë nga pikat e përfshira në pazar nuk sjell dritë në fund të tunelit të “transit tonë politik” që mund të çojnë në zgjidhje reale dhe reformë zgjedhore për të patur standarte si çdo shtet normal.
Për një gjë, unë si përfaqësues i një subjekti politik të djathtë, jam i kënaqur, sot më shumë se dje sepse opinion i ndershëm publik kuptoi në mënyrë transparente me fakte të pakundërshtueshme, që të gjithë partitë e Katovicës kanë humbur moralin e përfaqësimit të elektoratit të tyre.
Asnjëra prej tyre nuk mendon më shumë se shifrat e mandateve dhe zonat ku do të investojnë për hegjemoninë e tyre ekonomike. Për fat të keq, sot kuptuam që kauza opozitare u vu në shitje dhe u ble me vende pa vlerë për kauzën në administratën e shtetit, ndërsa maxhoranca për të ruajtur trashëgimtarët e Byrosë Politike bëri gjoja tërheqjen e rradhës.
Bashkeqeverisja e përkohshme dhe përfshirja e PD-së në qeverine socialiste të krimit dhe korrupsionit, zhduk përfundimisht në çdo aspekt moral, ligjor dhe njollos idealizmin e opozitës së djathtë kundrejt oligarkisë së PPSH-së.
Tani po që jemi në monizëm!
Të nderuar miqtë e mi të djathtë, përfaqësues të familjeve qëndrestare, nacionaliste dhe çdo shqiptari të ndershëm të ketij vendi!
Në emrin tim dhe të partisë Aleanca Popullore për Drejtësi, ju ftoj të bojkotoni , me votë, kastën e vjetër politike e cila ju mban të zaptuar mendjen dhe zemrën me marreveshje të pista dhe propaganda gebelsiane, duke hedhur poshtë çdo ideal tuajin, vizion të ndershëm për kombin, aspirat për liri dhe demokraci.
Ju ftoj, të bashkohemi të gjithë në Aleancën Popullore për Drejtësi, në aleancën e vlerave kombëtare, për largimin e aktorëve të vjetër në politikë, që i kanë bërë gropën Shqipërisë, kësaj kaste të sigurimit të shtetit që çdo çast tenton të na tregojë se ata janë supremacia e turpit ndaj të cilëve duhet të heshtim dhe të bindemi.
E ardhmja e Shqipërisë është e djathta reale, jo formacionet politike hibride të post diktaturës!
ORKID SPAHIU
SEKRETAR I PËRGJITHSHËM
Diskutime rreth kësaj post