Nga Mero Baze
E gjithë vëmendja tek 23 të arrestuarit për protestën në Kalimash, u përpoq të merrej me faktin se ata janë njerëz të këputur dhe të pashpresë. Të gjitha raportet nga brenda gjyqit dhe përshkrimet që donin të preknin publikun, kishin të bënin me faktin se dikush kishte katër fëmijë, dikush gjashtë, dikush nuk kishte bukë të hante etj. Gati gati po krijohej ideja se 23 të arrestuarit ishin ndaluar në “Demonstratën e bukës në Korçë” më 1936, dhe jo si të përdorur në aktet e dhunës në Kalimash. Dhe më tej akoma, kur një kolegu im gazetar verifikoi emrat e tyre në diskun e Drejtorisë së Targave dhe Patentatve, rezultoi se asnjë prej tyre nuk rezulton të jetë as pronar makine.
Të gjithë të tjerët në protestë, që nga ata me Benz e X5 të SHQUP, nga Flamur Noka, që ndërron më shpesh makinat se çorapet, dhe deri tek këta aktivistët që akoma s’ju kanë mbaruar lekët e tenderave kur ishin drejtorë, në fakt i kanë qëndruar larg dhunës, larg kamerave, dhe larg përgjegjësisë për dhunën në Kalimash. Ata gjetën 23 fakira, u mbushën mendjen që janë heronj, u paskan mbushur mendjen që qenka dhe betejë për bukën e gojës së tyre dhe tani po përpiqen t’i mbrojnë si njerëz që nuk kanë bukë të hanë. Në fakt, ata formalisht kanë dalë se nuk kanë 5 euro të paguajnë për makinën e tyre, biles nuk kanë as makinë, dhe për këtë kanë të drejtë të protestojnë.
Por keqpërdorimi i tyre është dy herë i turpshëm. Një herë që keqpërdorin njerëz të varfër e të pashpresë për betejat e tyre politike, pasi vetë janë të kompromentuar dhe nuk ua mban t’u dalin para as pronarëve të koncesionarit, se kanë gëlltit dikur ndonjë lugë çorbë prej tyre, dhe së dyti, që pasi i inkriminojnë njerëzit e varfër e të pashpresë, duan t’i ngushëllojnë si heronj, pasi u ndezën atyre shpresën e protestës.
Tani në vend që të ndjehen fajtorë për atë që kanë bërë ndaj këtyre 23 vetëve, në vend t’u kërkojnë ndjesë familjarëve të tyre që u kanë përdorur djemtë dhe burrat për një çështje që nuk është aq shumë e tyre, përderisa janë aq të varfër sa nuk kanë as veturë, përpiqen të fajësojnë drejtësinë pse bëri punën e saj.
Të njëjtat fytyra që më 21 janar thoshin që “fajin për vrasjet e katër qytetarëve e ka Edi Rama” dhe se në fund të fundit, ata ishin ca “kokëpalarë”, sot këta të shkretët që qenkan dhe të varfër, dhe të pabukë, dhe të pamakina, qenkan heronj, ndërsa gjyqtarja dhe prokurorja që zbatoi ligjin, qenkan kriminele. Më 21 janar Sali Berisha dhe Lulzim Basha që i vrau, ishin heronj, ndërsa Rama që i nxori në rrugë ishte kriminel, dhe viktimat kokëpalarë.
Kjo qasje tregon se sa e pamëshirshme është një opozitë e paaftë, një opozitë e cila nuk bind dot popullin të jetë me të, dhe kërkon popull hua pas çdo proteste, duke sakrifikuar njërëz të varfër e të pashpresë, që nuk kanë lidhje as me kauzën e tyre, dhe as me arsyen pse janë dënuar. Ata thjesht janë njerëz të zemëruar që duan të protestojnë dhe kthehen në “mish për top” nga “hijena” të tilla, që pasi u japin nga një varre dhe shishe benzinë në dorë, pastaj shkojnë e derdhin lot para sallës së gjyqit të tyre.
Prej nesër skenari i Kalimashit, i cili kishte dhe emocione të vërteta të protestës për taksën, do përsëritet në mënyrë qesharake në disa akse rrugore të Shqipërisë, duke inkriminuar njerëz të tjerë. E ashtuquajtura mosbindje civile, e cila bën joserioze dhe një OJQ, dhe jo më një opozitë institucionale, do të ketë po ashtu viktimat e veta ligjore, por krye-viktimë politike do të ketë Lulzim Bashën, i cili po hyn me këtë gjest, në një çadër virtuale, shumë më të madhe nga çadra politike e vitit të shkuar, pasi nuk do të ketë shans të dalë më prej saj, pavarësisht se kush ja paguan paratë, Rusia apo kunati.
Viktimizimi i njerëzve të thjeshtë dhe të pashpresë për të pasur ushqim për kauza fallco, është kriminale. Se kauza për taksën, është një mekanizëm që e ka në dorë qeveria, dhe mund ta zgjidhë me kuksianët, dhe pastaj Bashës mund t’i ngelë në dorë vetëm bishti i çadrës.
Diskutime rreth kësaj post