Nga Ben Andoni:
Problemi dhe shqetësimi më i madh që kanë në ditët tona njerëzit e Partisë Demokratike është i thjeshtë por edhe thelbësor: Kush do t’i japë fund kësaj përçarje, e cila nuk ka të ndalur në rradhët e partisë më të madhe të opozitës? Po të flasësh me njerëzit që janë afër Bashës dhe ata që mbrojnë qëndrimin e tij për shmangien e z. Berisha nga grupi parlamentar, gjithçka që bëjnë njerëzit e “Foltores” është e gabuar dhe ka qëllim të ndajë Demokratët, duke mos e njohur statutin e partisë. Nëse flet me njerëzit, të cilët mbrojnë qëndrimin e z. Berisha atëherë është fare qartë e përcaktuar se: PD-ja e Bashës jo vetëm po e mban peng partinë por më shumë se kaq po shkel statutin. Madje, Berisha tashmë përdor përcaktorin peng-kryetari për “kundërshtarin” e tij të ri.
Është një grup dokumentesh të depozituara me firmat respektove të mbështetësve të Berishës në zyrën e Kryetarit të Këshillit, Edi Paloka që pret të identifikohet dhe të justifikojë mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit, ashtu si nga ana tjetër Sekretari Organizativ Gazment Bardhi, në struktura dhe në besim me Bashën, vë në diskutim rregullsinë e tyre. Cili ka të drejtë? Në ballafaqime ti shikon ndarjen e thellë por edhe mungesën e besimit të pafundmë, që shoqërohet jo pak herë më fyerje. Kjo nuk rregullohet më, qoftë me ardhjen e Berishës apo me mbajtjen në krye të partisë së zotit Basha. Paradoksalisht, ky i fundit e ka humbur bazën, pak muaj pasi mori mbështetje totale po prej tyre!!! Por asokohe, kjo mbështetje ishte edhe nga Berisha and & që e anatemojnë. Dhe, kjo është edhe më e trishtë. “Kompleksit të Rozafës” nuk mund t’i shpëtojë dot ashtu si shumë prej institucioneve shqiptare dhe institucioni i Partisë Demokratike, që do të thotë çdo institucion në vendin tonë duhet të prishet dhe të mos formojë dot traditë. Gjithnjë mëtuesit do nxjerrin një teori të re. E bënë komunistët, socialistët, tashmë demokratët e me rradhë…shoqatat ngado në vend.
Por le ta shohim problemin edhe pak më qetë. Statuti është kushtetuta që duhet të respektojë çdo parti dhe në rastin tonë vërtetë dokumenti themeltar i PD-së nuk është e precizuar deri në imtësitë ku po futen tashmë palët, por nuk ke çfarë të bësh me cepat dhe bishtat, që ka përshtatur Basha për pozicionin e vet me bekimin dhe të këtyre që e kundërshtojnë sot.
Që të kuptosh ndarjen e pafundme, le t’i kthehemi Nenit 13, i cili bën të qartë:
“Disiplinën e brendshme”:
Anëtarët kujdesen për ruajtjen e etikës në komunikim dhe respekt të ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit, organeve të partisë dhe funksionarëve politikë. Anëtarët dhe organet e partisë veprojnë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH-së. Çdo vlerësim apo nismë personale e anëtarit të partisë, e shprehur nën këtë cilësi, duhet të jetë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH-së. Anëtarët e PDSH-së veçanërisht shmangin çdo mënyrë, veprim apo neglizhencë që dëmton interesat elektorale apo politike të PDSH-së. Rregullat e hollësishme për të garantuar disiplinën e brendshme dhe masat disiplinore në rast të cenimit të saj, përcaktohen në aktet nënstatutore.
Pse nuk e respektojnë dokumentin e tyre? A është vallë kaq e vështirë?! Kuptohet statuti është dashur më pak nga të gjitha te PD, sepse ligjin e bënte Berisha dhe tashmë Basha. Kurse e vërteta është më e thjeshtë, duhet zgjidhur pronësia e re e Partisë, që Basha dhe Berisha t’i kemi sërish në politikë dhe mos të çuditemi t’i kemi sërish afër njëri-tjetrit. Kurse masa e deputetëve dhe e strukturës së PD-së duhet të bindet edhe kështu qorrazi se: kjo luftë është e drejtë dhe bëhet për arsye parimore…për strukturimin e demokratëve kundër Edi Ramës.
Diskutime rreth kësaj post