Në të 61 bashkitë e vendit do të ndryshojnë rregullat për taksat por dhe administrimin e pushtetit vendor. Qeveria ka miratuar një projektligj, në të cilin përcaktohen detyrat e reja të administratës vendore por dhe detyrimet e banorëve. Sipas këtij projektligji njësive të vetëqeverisjes vendore u garantohet e drejta për krijimin e të ardhurave në mënyrë të pavarur dhe e drejta për të përfituar transfertë të pakushtëzuar nga buxheti i shtetit, e cila ndahet sipas kritereve të përcaktuara në ligj. Njësive të vetëqeverisjes vendore u garantohet e drejta për të përfituar nga ndarja e të ardhurave nga taksat kombëtare dhe tatimet, të cilat ndahen sipas kritereve të përcaktuara në ligj, raporton Shekulli.
Taksat
Cilat janë taksat që duhet të paguajnë qytetarët apo bizneset në llogari të bashkive? Njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë të administrojnë taksat vendore sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi ndërsa janë të paktën 7 taksa, për të cilat çdo bashki cakton shumat përkatëse. Në rend sipas projektligjit janë; taksa mbi pasurinë e paluajtshme, në të cilën përfshihen taksa mbi ndërtesat, taksa mbi tokën bujqësore dhe taksa mbi truallin si dhe mbi transaksionet e kryera me to; taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja; taksa vendore mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier; taksa e tabelës; taksa vendore të përkohshme, të cilat vendosen sipas mënyrës së parashikuar në ligj;taksa vendore mbi veprimtarinë ekonomike të biznesit të vogël; taksa vendore mbi të ardhurat vetjake, taksa mbi të ardhurat e krijuara nga dhuratat, trashëgimitë, testamentet ose lotaritë vendore.
Po ashtu, këshilli njësisë së vetëqeverisjes vendore ka të drejtë të vendosë taksë të përkohshme për ofrimin e shërbimeve dhe të investimeve publike specifike, për një periudhë të caktuar kohore. Vendosja e taksës së përkohshme paraprihet nga hartimi i planit, që përmban, të paktën, përcaktimin e shërbimit apo investimit specifik që financohet nga taksa e përkohshme; kohëzgjatjen e taksës së përkohshme, e cila nuk mund të zbatohet për më shumë se tre vjet nga hyrja në fuqi, dhe shumën totale e vjetore të të ardhurave që pritet të mblidhen si dhe koston dhe afatet e kryerjes së shërbimit e investimit, përfshirë pjesën që financohet nga taksa e përkohshme dhe nga burime të tjera, përfshirë edhe pjesën e financimit nga buxheti i bashkisë.
Diskutime rreth kësaj post