Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot takime me qytetarë dhe biznese në Lezhë, që janë goditur nga kriza e pandemisë së koronavirusit.
Përmes një mesazhi në “Facebook”, Basha thekson se “Të mbetur pa punë dhe të braktisur nga qeveria Rama, që nuk jep ndihmë as për biznesin, as për familjet, ata kanë shkurtuar deri në 70% të fuqisë punëtore”.
Mesazhi i Bashës:
“Në Lezhë u takova me qytetarë dhe biznese të goditur dhe të varfëruar nga kriza. Biznesi fason është në gjendje të rëndë. Të mbetur pa punë dhe të braktisur nga qeveria Rama, që nuk jep ndihmë as për biznesin, as për familjet, ata kanë shkurtuar deri në 70% të fuqisë punëtore. E njëjta situatë dhe tek bizneset në qendër të Lezhës. Ata po vuajnë pasojat e krizës ekonomike 7 vjeçare, që bashkë me pandeminë po e çojnë biznesin e vogël drejt falimentimit.
Shqipëria është vendi ku qeveria ka dhënë ndihmën më të vogël për biznesin dhe qytetarët, siç e konfirmoi dhe FMN. Qeveria Rama ka dhënë më pak ndihmë se Kosova dhe Maqedonia, edhe pse e ka buxhetin më të madh se këto dy vende fqinje. Dhe kjo, sepse Rama ka vendosur që paratë t’i çojë për tendera dhe koncesione korruptive, për udhëtime luksi dhe arredime zyrash, ndërsa shqiptarët po vuajnë për të siguruar ushqimin bazë.
Kjo situatë duhet të marrë fund. Qytetarët shqiptarë meritojnë një qeveri që kujdeset për ta, jo për vete. Biznesi meriton një qeveri në krah të tij! Ne do t’i japim fund keqqeverisjes dhe paratë që sot shkojnë për inceneratorët e PPP-të korruptive, do t’u kthehen shqiptarëve, do të shkojnë për punësim dhe zhvillim.
Është koha ta ndalim të keqen që po rrënon vendin, ta ndryshojmë Shqipërinë dhe të sjellim shpresë të re për shqiptarët.”-shprehu Basha.
Diskutime rreth kësaj post