Në një konferencë për mediat, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka folur edhe për takimin me ambasadoren amerikane Yuri Kim disa ditë më parë.
I pyetur nga gazetarët në sallë, ish-presidenti kujtoi se marrëdhëniet me SHBA i ka pasur dhe i ka të shkëlqyera.
Me ambasadoren, Meta tha se pati një bisedë të hapur, konstruktive dhe bashkëpunuese.
“Mund t’ju them se marrëdhëniet e mia me SHBA gjithmonë kanë qenë të shkëlqyera, sidomos në drejtim të forcimit të partnerit tonë strategjik dhe të marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat, në plotësimin e detyrimeve tona si anëtar i NATO-s. Dhe së treti sa i takon përshpejtimit të integritetit evropian që është një interes tjetër i SHBA-ve. Kemi pasur një bisedë shumë të hapur, konstruktive, bashkëpunuese. Këtë mund të thosha…”.
Kurse, i pyetur nëse ndodhet përballë dy zgjedhjeve, mes SHBA dhe Berishës, kreu i PL-së tha se partia e tij nuk zgjedhje të tilla, pasi ajo ka programin e saj dhe është e pavaruar.
Po ashtu, sa i përket mesazheve që ndau me ambasadoren ditën e takimit, ish-presidenti theksoi se ndër të tjera i shprehu kryediplomates amerikane bindjen e tij se “non grata” ishte një vepër e Bashës dhe Ramës.
Meta: “Unë s’mund të flas se cilat ishin mesazhet e ambasadores, ata flasin vetë kur kanë diçka për të thënë. Unë mund t’iu them juve se çfarë i thashë ambasadores për këtë çështje. Unë thashë mendimin tim që kam për çështjen e shpalljes “non grata” të Berishës. I shpreha dhe bindjen time se kjo është vepër e Bashës dhe Ramës. I thashë që të thotë në Uashington, që të paktën unë personalisht e vlerësoj efektin pozitiv të këtij vendimi që as nuk kam qenë as nuk jam dakord. Pa një vendim të tillë do të kishim Lulzim Bashën kryetar të PD. Kjo nuk është më një sekret. Ne nuk bëjmë zgjedhje mes zotit Berisha dhe Amerikës. Ne kemi programin tonë i cili është i pavarur. Ne respektojmë vendimet që marrin anëtarët e PD apo të çdo partie tjetër”, u shpreh Meta.
Diskutime rreth kësaj post