Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi thotë se Shqipëria duhet të marrë shembull nga Maqedonia e Veriut, e cila renditet e 11 në botë për klimën e të bërit biznes.
Ajo ka takuar ditën e sotme Hisen Xhemailin, Ministër për Investime Vendase dhe Përmirësimin e Klimës së Investimeve të Maqedonisë së Veriut.
Reagimi i Kryemadhit
Ditën e sotme u takova me z. Hisen Xhemailin, Ministër për Investime Vendase dhe Përmirësimin e Klimës së Investimeve të Maqedonisë së Veriut.
Duke i uruar mirëseardhjen ministrit, vlerësova rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencës mes dy vendeve.
Gjithashtu ndava shqetësimin për treguesit shumë të ulët të Shqipërisë në tërheqjen e investimeve të huaja dhe mundësitë e të bërit biznes. Shqipëria duhet të marrë shembull nga Maqedonia e Veriut, si vendi i 11 në renditjen botërore për klimën e të bërit biznes.
Vlejnë për t’u përmendur nismat ekonomike të Maqedonisë së Veriut, me krijimin e zonave të lira ekonomike në Shkup dhe Tetovë , si modele suksesi të jashtëzakonshëm në thithjen e investimeve të huaja dhe krijimin e punësimit në vend.
Gjatë takimit u ndalëm në faktin, se LSI ka promovuar prej kohësh integrimin mes vendeve të rajonit, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe kapitaleve.
Duke marrë shkas nga takimi i dy kryeministrave dhe një Presidenti në Novi-Sad, i shpreha shqetësimin për një qasje të pjesshme dhe jo gjithëpërfshirëse të gjitha vendeve të rajonit, edhe për komunikimin e mbyllur dhe jo transparent të këtij takimi. Opinioni publik vazhdon të jetë shumë i paqartë dhe në errësirë të plotë për natyrën e këtij takimi dhe qëllimet e vërteta të tij.
Modeli ekonomik i Maqedonisë së Veriut paraqet interes të veçantë për opozitën shqiptare përsa i takon programit të saj për ringritjen ekonomike të Shqipërisë në krizë. Vlerësova në veçanti skemën e tyre tepër të suksesshme të subvecionimit në bujqësi, pasi ajo e vlerëson sektorin bujqësor jetik për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Diskutime rreth kësaj post