Një burim pranë Ministrisë së Jashtme gjermane ka thënë për BIRN se Berlini do të mbështesë çeljen e negociatave për Shqipërinë në takimin e Komisionit Europian në 13 dhjetorin. Sipas këtij burimi, çelja e negociatave do të bëhet sapo Shqipëria të nisë aplikimin e Vetingut dhe reformës në drejtësi.
I njëjti burim zyrtar tha se është e rëndësishme për Shqipërinë që të implementojë reformën e shumëpritur në drejtësi dhe të vijojë zbatimin e prioriteteve kyçe: luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe luftën ndaj drogës.
“Ne mirëpresim vendimin e Komisionit Europian për të rekomanduar çeljen e negociatave, menjëherë sapo të ketë nisur zbatimin e reformës në drejtësi dhe rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve”, tha burimi për gazetaren e BIRN, Fatjona Mejdini.
“Ne jemi të bindur se qeveria shqiptare ka vullnetin, aftësinë dhe mbështetjen e popullit shqiptar në zbatimin e reformave të rëndësishme, në muajt në vazhdim, siç është kërkuar nga Komisioni Europian para çeljes së negociatave”, shtoi ai.
Ligji i vetting-ut ka ngecur për shkak se pritet të merret në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, pas një padie të ngritur nga Partia Demokratike.
Burimi zyrtar gjerman tha se po e ndjekin këtë çështje me vëmendje.
“Ne kemi mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për reformën në kontekstin e misionit EURALIUS, i drejtuar nga gjyqtari gjerman, dr. Rainer Deville.
Ky mision ka kontribuar me vendosmëri për reformën në drejtësi”, tha burimi.
Ndërkohë, një zëdhënës i qeverisë gjermane tha për BIRN se Shqipëria i është nënshtruar ndryshimeve themelore gjatë viteve të fundit dhe ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt reformizmit, por vendet e BE akoma janë duke diskutuar se cili do jetë pozicioni final për ccështjen e hapjes së negociatave.
“Është e zakonshme që Këshilli i BE të marrë një pozicion të përgjithshëm në formën e konkluzioneve për paketën e zgjerimit të Komisionit. Vendet anëtare të BE janë duke diskutuar aktualisht këtë në Këshill”.
Diskutime rreth kësaj post