Me ftesë të Iniciativës për Dialog të Libanit (LDI) dhe Universitetit “Notre Dame”, ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri po qëndron në Liban, ku po merr pjesë në Konferencën “Dialogu dhe praktikat e mira: paqe-stabilitet-prosperitet”.
Në këtë Konferencë po marrin pjesë përfaqësues të botës akademike, fetare, politike dhe intelektuale të Libanit dhe pjesëmarrës ndërkombëtarë. Një panel i është kushtuar dialogut mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si një model për krijimin e paqes përmes marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve. Pjesë e panelit janë përfaqësuesit e dyja shteteve.
Në hapje të forumit folën Dr. Guita Hourani nga instituti LDI, z. Suheil Matar, zëvendës president për çështje publike dhe komunikim në Universitetin “Notre Dame”, z. Amin Nehme, President i Iniciativës së Libanit për Dialog, z. Walid Moussa, President i Universitetit Notre Dame, z. William Zard, president i Bordit Mbikqyrës të LDI-së, Bahij Tabbara, ish-ministër i Drejtësisë së Libanit, Sheikh Malek al-Shaar, Myftiu i Tripolit dhe i veriut dhe John Bond nga Iniciativa Ndërkombëtare për Ndryshime në Universitetin e Oksfordit. Në këtë forum po ashtu morën pjesë edhe zyrtarë tjerë të Qeveritarë së Libanit, përfaqësues të OKB-së, BE-së, përfaqësues të korit diplomatik dhe organizatave tjera ndërkombëtare.
Paneli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, u moderua nga Ambasadori William Habib, ish sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Libanit. Ministrja Tahiri mbajti një fjalim dhe iu përgjigj pyetjeve të shumta të pjesëmarrësve në këtë panel.
Ministrja Edita Tahiri foli për historinë e përpjekjeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe proceset paqësore që nga Rambuje, Vjenë dhe tani në Bruksel, si dhe progresin e shtetit të Kosovës në forcimin e shtetit sovran dhe demokratik si dhe subjektivitetin ndërkombëtar. Ajo tha se Kosova lindi si shtet pas luftës dhe sakrificave njëshekullore të popullit shqiptar dhe Kosovës, si një proces për të korrigjuar padrejtësinë e ndarjes së kombit dhe tokave shqiptare. Ajo po ashtu foli për përvojën personale të saj si një nga liderët e lëvizjes për pavarësimin e Kosovës dhe si negociatore e paqes, si në kohën e luftës në Kosovë e poashtu në procesin e përpjekjeve për integrimet euro-atlantike, duke thënë se kushti evropian për fqinjësi të mirë ka bërë që Dialogu në Bruksel të jap rezultate mjaft të rëndësishme. Ministrja Tahiri theksoi se njohja e ndërsjellë mes dy shteteve sjellë një paqe të qëndrueshme në Ballkan dhe Evropë, duke ndërtuar marrëdhënie të mira ndërfqinjësorë me ish-armikun Serbinë.
Ajo po ashtu tha se Libani dhe libanezët e kuptojnë historinë tragjike por triumfuese të Kosovës sepse në të gjejnë pjesë të historisë së tyre të okupimeve. Ajo tha se Libani meriton të bëhet një qendër globale për dialog nga ana e OKB-së, sepse shembulli i respektimit të diversiteteve dhe bashkëjetesës mbi këtë vlerë e bën Libanin një model inspirues për dialog dhe paqe.
Duke folur për historikun e ndërtimit të shtetit të Kosovës, ministrja Edita Tahiri tha se me ndryshimet e mëdha globale pas përfundimit të luftës së ftohtë dhe të rënies së komunizmit dhe murit të Berlinit ka rënë edhe muri i Berlinit shqiptar, që kishte ndarë shqiptarët në Ballkan për shumë dekada. “Pra këto ndryshime të mëdha hapën dyert për të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe të drejtën e popullit të Kosovës për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre, dhe populli i Kosovës vendosi, luftoi dhe fitoi pavarësinë së bashku me përkrahjen e aleatëve tanë, SHBA dhe vendet perëndimore” theksoi ministrja Tahiri.
Ajo po ashtu tha se historia e luftës dhe shtypjes nuk mund të ndryshoj as nuk mund të harrohet por ne po ndërtojmë ardhmërinë e shtetit tonë të ri për gjeneratat e reja dhe duam t’i lëmë në paqe me të gjithë madje edhe ish armikun Serbinë duke dialoguar për krijimin e një fqinjësie në paqe.
Ministrja Edita Tahiri ka shprehur mospajtim me prezantimin e historisë së zhbërjes së Ish – Jugosllavisë dhe historisë së Ballkanit nga ambasadori William Habib (ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Libanit), duke i thënë se ish-Jugosllavia kishte tetë njësi federale dhe jo vetëm gjashtë republike, dhe njësitë federale kishin të drejtën për të vendosur vet, dhe mbi këtë bazë edhe u njohtë pavarësia e shtetit nga pjesa më e fuqishme e botës dhe se ajo vet kishte lobuar dhjetë vite si Ministre e jashtme e Kosovës në kohën e okupimit për të argumentuar para botës çështjen e Kosovës si një çështje e kombit padrejtësisht të ndarë shqiptar.
Në këtë panel ka folur edhe përfaqësuesi i Qeverisë së Serbisë në Dialogun e Brukselit z. Marko Gjuriq dhe poashtu gjatë ditës është mbajtur edhe një panel për kontributin për paqe të të rinjve ku kishte përfaqësues të të rinjve nga shtete të ndryshme përfshirë edhe znj. Arbora Aliaj nga Shqipëria.
Ministrja Tahiri u ndal edhe tek roli i saj si negociatore e paqes në bisedimet e Brukselit.
Diskutime rreth kësaj post