Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i është përgjigjur me një foto akuzave të Partisë Demokratike për përfshirje në trafikun e hashashit në drejtim të Italisë.
Ministri ka publikuar një foto të hershme të Lulzim Bashës. Fotoja është e 4 nëntorit të vitit 2012 dhe në të, sipas Tahirit është kreu aktual i Partisë Demokratike me të shpallurin në kërkim nga policia për drogën e sekuestruar mbrëmjen e së premtes në Portin e Durrësit.
Postimi i plotë i ministrit Tahiri:
Meqë PD sot bëri ritualin ditor te baltosjes ndaj meje dhe Policisë, me pretekstin e hashashit, po i përgjigjem me këtë foto që po bën xhiron e rrjeteve sociale.
Në foto është Lulzim Basha me personin e shpallur në kërkim për trafikimin e 130 kg drogë dje në darkë në Portin e Durrësit.
Unë nuk e di nëse këtë foto apo të tjera të tilla, ose miqësinë e ngushtë historike me Lulzim Bashën, ky trafikant i ka përdorur si pasaportë paprekshmërie apo kredibiliteti në të kaluarën a qoftë edhe tani.
Por këtu bëjmë dallimin, ne që sot luftojmë trafikun dhe qeveria e shkuar, që dje jo vetëm që nuk e luftonin, por më keq akoma, mëkatet që bënin vetë dje, na i lexojnë ne sot.
Unë nuk kam ndërmend të akuzoj Lulzim Bashën si trafikant apo pronar të drogës që iu kap mikut të tij dhe të partisë së tij. Kjo do ishte e tepërt dhe e padrejtë.
Nuk kam ndërmend as të them se me paratë e drogës që ky medemek biznesmeni kërkonte të trafikonte në Itali, financohet PD dhe tellallet e saj që recitojnë te foltorja.
Nuk kam ndërmend të them as se po ky biznesmen trafikant, mund të ketë qenë edhe pronari i parcelës ku shkonte bënte foto e video një nga Shqup-istat.
Por nuk kam sesi sot, që miku fotografik i Lulzim Bashës dhe PD u kap me presh në duar me plot 130 kg drogë që donte t’i trafikonte në Itali, t’i them Lulzim Bashës e Shqup-istave të tjerë: turpërohuni për baltën që keni hedhur, e mbyllni gojën!
Kriminelët e trafikantët janë vetëm kaq, kriminelë e trafikantë.
E mbi krimet e tyre, ne kemi zgjedhur të mos fitojmë vota duke sharë PD, por të fitojmë forcë me shumë për t’u bërë bashkë me qytetarët, për një Shqipëri më të denjë e më të drejtë.
Ndaj na besojnë qytetarët, akoma më shumë partnerët.
Nqs nuk e bëni këtë e doni të vazhdoni baltosjen ndaj meje, policisë e qeverisë, atëherë për barazi kushtesh, ju takon sot t’i dilni zot 130 kg drogë e trafikantit të fotos e partisë që u kap dje.
Diskutime rreth kësaj post