Syzet e Gregut si një “raison d’être” për Partinë Demokratike
Ilir Sinanaj
Në Shqipëri ka problematika pa fund, që u duhet dhënë zgjidhje. Për rrjedhojë të ndërmarrësh një opozitë në dobi të zgjidhjeve të çështjeve të shumta të qytetarëve mjafton pak imagjinatë dhe vullnet. Ndërkaq, kjo lloj opozite ndihmon edhe subjektin politik në opozitë për të ardhur në pushtet, pasi kështu fitohet edhe besimi i qytetarëve. Kjo është një hyrje me shumë mundësi e tepërt për të përshkruar funksionimin e një force opozitare, por ja që i duhet kujtuar Partisë Demokratike. Marr shkas të mbaj këtë qëndrim nga reagimi më i fundit i forcës opozitare më të madhe në vend, që këto 2 ditë, nëpërmjet mediave të ndryshme dhe një deklarate për shtyp të lexuar (ashtu siç edhe ia kishin dhënë) nga kreu i Froumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka kthyer në një “raison d’être” apo kauzë të qënësisë ekzistenciale politike… syzet e Greg Ramës!
Gjëra më të rëndësishme
Sa mirë që Greg Rama vuri një palë syze, që Partia Demokratike të fitonte pikë në sytë e qytetarëve. Sa mirë që Greg Rama vuri një palë syze që Partia Demokratike të angazhonte të gjithë kapacitetin e vet intelektual për të vënë në pah këtë “fenomen”, dhe menjëherë më pas shqiptarëve iu “rrit” ndjeshëm mirëqënia.
Koha për të qenë më seriozë. Partia Demokratike humbi zgjedhjet parlamentare në vitin 2013 me një rezultat të thellë përballë mazhorancës së majtë. Po kështu edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2015, kandidatët e Partisë Demokratike arritën të fitonin vetëm në rreth 25% të bashkive të vendit dhe në disa raste ku kandidatët e koalicionit të djathtë për kryetar bashki ishin fitues, këshillat bashkiakë ishin të shumicës së koalicionit të majtë. Këto dy rezultate janë një tregues i rëndësishëm për lidershipin e Partisë Demokratike. Nuk mendoj se në zgjedhjet e vitit 2017 shqiptarët do ta votëbesojnë këtë forcë politike nëse kauza e tyre politike është e llojit të “syzeve të Gregut”.
Por çfarë ka gjëra më të rëndësishme, përpos syzeve të Gregut, me të cilat mund të merret? Një nga këto është të shpalosë një strategji konkrete se si do të rimëkëmbet ekonomia; të thuash do të ulim taksat nuk mjafton. Një tjetër është se si të zhbllokojë forcat krijuese dhe prodhuese të Shqipërisë në mënyrë që shqiptarët të bëhen sa më shumë pjesë e tregut të punës. Në lidhje me arsimin opozita mund të hartojë startegji se si mund të ketë ndërlidhje midis të diplomuarve dhe tregjeve të punës? Lista nuk ka fund… Nga, nëse do të marrim Departamentet e ndryshme të Partisë Demokratike, për të gjitha sa u tha më lartë edhe më tepër, këto sektorë të kësaj force politike, teorikisht, kanë “kapitalin e duhur njerëzor” për të hartuar një strategji për kauza me rëndësi të interesit publik. Ndërkohë, me përjashtim të Departamentit të Mjedist, Pyjeve dhe Turizmit deri diku, pjesa tjetër e Partisë Demokratikë është një bashkësi apatike, që deri më tani (e them me keqardhje) nuk po arrin të mbajë një qëndrim opozitar që do të mund të zgjojë interesin publik. Kjo tezë mbështetet nga deklarata më e fundit e Selisë Blu, e cila erdhi si shkak i një fotografie të Gregut me një palë syze dielli të cilësuara shumë të kushtueshme nga media. Nga kjo fotografi kreu i FRPD-së lëçiti atë që i kishin shkruar ata më të “mençurit” e Partisë Demokratike, duke ngritur lloj-lloj teorish e duke bërë lloj-lloj krahasimesh. Në fund të fundit Gregu bëri thjesht një fotografi. Pse? Sepse në media ishte shkruar se ishin shumë të kushtueshme! Imagjinoni të kishte dalë fotografi Gregu brenda një makine të tipit “Ferrari”; çfarë trillesh vallë do të të gatuheshin nga Selia Blu, të cilat do t’ia jepnin një individi të çfarëdoshëm, pjesë të Partisë Demokratike, për ta lexuar para kamerave?
E gjithë kjo zhumnajë erdhi se Greg Rama është djali i kryeministrit Edi Rama dhe duke qenë se ne jemi një shoqëri kanunore e klanore (që është një katastrofë zhvillinore që rrezikon demokracinë dhe vetë kapitalizmin), ku individi nuk ekziston si i tillë por perceptohet si pjesë e fisit, për t’i “rënë” Edit u kapën me Gregun. Gjithashtu kjo lloj opozitë tragjikomike, si rrjedhojë e konceptave kanunore e klanore të shoqërisë sonë, nuk kapet me fenomenin (pra problematika në lidhje me mënyrën e qeverisjes) por me individin (në mënyrë të tërthortë me Edin).
Së fundmi, Partia Demokratike duhet ta “falenderojë” Gregun për fotografinë me syze sepse i dha mundësi kësa force politke të ekzistonte edhe pak… Megjithatë të bësh një fotografi me sende që duken të kushtueshme nuk është krim dhe për më tepër publikut nuk i bëhet vonë fare për syzet e Gregut.
Deklarata e Partisë Demokratike, për të cilën ishte “urdhëruar” ta lexonte Belind Këlliçi
Media ka zbuluar se studenti më i pasur në vend, dhe ndoshta në rajon, është i papuni Gregor Rama, djali i kryeministrit.
Zbulimi nuk ka qënë shumë i vështirë për t’u bërë, pasi Gregu, studenti i papunë, është pjesë e arrogancës rilindase që ka dëshirë ta tregojë luksin, edhe pse shokët e tij të klasës nuk kanë lekë të pinë një kafe, le më të pagujnë tarifat e rritura të universiteteve nga babai tij, edhe pse 46.2 përqind e familjeve shqiptare jetojnë në varfëri me 5 dollarë në ditë.
Syzet që mban djali i papunë i Edi Ramës, janë Maybach që sipas medias dhe ekspertëve kushtojnë të paktën 60 mijë euro.
Syze tipike të oligarkëve të lindjes, të qeveritarëve të korruptuar, të njohur botërisht për pasurinë e luksin që kanë vënë në kurriz të popullit.
Vlera e këtyre syzeve që mban Gregu është sa dy muaj pagë e presidentit amerikan, Obama.
Përveçse një çështje morale, që tregon harbutërinë e rilindjes, kontrastin e thellë mes Edi Ramës, njerëzve të tij, dhe popullit që nuk ka me se të ushqehet, ky është dhe një problem i mprehtë ligjor.
Djali i kryeministrit, duhet të tregojë se ku i ka marrë paratë për të pasur një palë syze 60 mijë euroshe. Të tregojë burimin e parave. Eshtë i detyruar me ligj.
Nëse i ka dhuratë, duhet të tregojë se nga kush i ka dhuratë;
Nga hakmarrja për drejtësi?
Nga Emiliano Shullazi?
Apo nga kompania kineze që po përgaditet të marrë koncesionin e TVSH, sëbashku me xhaxhain e tij Olsin?
Këto pyetje janë shqetësim publik, dhe Gregor Edi Rama është i detyruar të japë përgjigje.
Diskutime rreth kësaj post