Kombëtarja mori 6 pikë nga tri ndeshjet e para të luajtura në grupin I eliminator të Botërorit “Katar-2022”, duke mposhtur Andorrën (1-0) dhe San Marinon (2-0), por duke humbur ndaj Anglisë 0-2. Në aspektin e objektivave përfaqësuesja është në rregull, por sa i takon lojës performanca e saj la për të dëshiruar. Skuadrës si asnjëherë më parë nuk i funksionoi si duhet mesfusha. Repartet ishin të shkëputur nga njëri-tjetri dhe lojës së kuqezinjve u mungonte tërësisht fantazia dhe harmonia në veprimet tekniko-taktike. Mesfusha ishte reparti që i mungonin elementët cilësorë që më parë bënin diferencë si Memushaj, Abrashi e ndonjë tjetër, ndërsa “arnimet” e trajnerit Reja nuk dhanë efikasitetin e duhur. Ndërkohë, edhe sulmi nuk qëndron prapa në problematikën e krijuar. Të rinjtë që janë afruar nuk janë ende vendimtarë për objektivat e skuadrës dhe disa dëmtime si ai i Brojës e ndonjë tjetri sollën pasoja. Por mbi gjithçka duhet pranuar se sulmuesit veteranë kanë probleme serioze dhe duket se nuk kanë çfarë t’i japin më ekipit kombëtar.
Janë tre veteranë të repartit ofensiv që pritet të varin këpucët në gozhdë në përfundim të eliminatoreve. Gjasat janë të mëdha që të ndodhë pikërisht ky skenar. Kështu, Armando Sadiku, i cili është pjesë e FC Bolivarit në kampionatin bolivian në Amerikën e Jugut, nuk u ftua në përfaqësuese për ndeshjet e fundit dhe me gjasë nuk do të ftohet as në vijim, pasi elbasanas ka shkuar në një kampionat që është i vështirë për t’u ndjekur dhe ndodhet në hapat e fundit të karrierës. Ecuria e Sadikut gjatë dy viteve të fundit nuk ka qenë më e mira dhe ky është fakt. Lojtari ka vuajtur nga dëmtimet, por edhe mungesa e golit dhe duket se e ka mbyllur ciklin në Kombëtare. Të paktën në përfaqësuese mund të jetë fakt i kryer lënia e tij përfundimisht jashtë.
Në grumbullimin e fundit trajneri Edi Reja nuk ftoi as Bekim Balajn, duke dhënë sinjale që nuk mund të mbështetet tek shtatlarti shkodran. Ndoshta Balaj nuk është i duhuri për skemat e Rejës, por ndoshta mungesa e ftesës mund të lidhet me mungesën e golave dhe qëndrueshmërinë në performancën e tij me Shturm Grazin në Austri. Sulmuesi tjetër që pritet të mënjanohet në vijim është Sokol Cikalleshi. Ftesa për të ndodhi për shkak se kavajasi pati një periudhë të mirë në Turqi me skuadrën e tij dhe në Kombëtare angazhohet fort, duke qenë efikas jo vetëm në lojën sulmuese, por edhe në atë mbrojtëse. Fakti që jep maksimumin pëlqehet fort dhe pavarësisht moshës (32), Cikalleshi ka ditur të jetë lojtari i nevojshëm në Kombëtare dhe e ka justifikuar me golat që ka bërë dhe lojën e pëlqyeshme të tij në tërësi. Me pak fjalë, në grumbullimet e ardhshme Reja do t’i mënjanojë ata.
Mësohet se trajneri Edi Reja është duke ndjekur ekipet e Primaveras (kampionati i të rinjve në Itali), atje ku luajnë shumë lojtarë të rinj shqiptarë, për të gjetur sulmues të spikatur dhe për ta angazhuar në Kombëtare, në projektin e tij të së ardhmes për Euro-2024. Nuk do të jetë e lehtë, por ka plot elementë shqiptarë që luajnë në skuadrat e të rinjve dhe që kanë mundur t’u bashkohen madje ekipeve të para, sikurse ka ndodhur me Xhakomo Vrionin tek Juventusi e Kumbullën që nga Verona kaloi tek Roma, duke qenë titullar i kësaj skuadre. Për momentin nuk ka një listë lojtarësh që janë evidentuar nga Reja dhe janë në fokusin e tij, por deri në qershor trajneri do të ketë krijuar një listë të lojtarëve të rinj më të përshtatshëm për skemat e tij në ekipin e parë përfaqësues.
Përveç Primaveras italiane, të cilën po e ndjek rregullisht dhe po mban shënime, Reja ka këshilluar trajnerët e skuadrave kombëtare të moshave, kryesisht Alban Bushin, që ta informojnë rreth ecurisë së lojtarëve të vegjël kuqezi dhe mundësisë që ata të angazhohen në ekipin e parë kombëtar, si pjesë e projektit të së ardhmes. Për momentin përfaqësuesja e Shqipërisë nuk ka një goleador të spikatur, por pas ndeshjeve të fundit u evidentua që nuk ka as mesfushorë organizatorë të nivelit të lartë dhe gjërat duhen parë me sy kritik. Trajneri Reja ka nisur një fazë vëzhgimi intensiv për lojtarë të rinj.
Diskutime rreth kësaj post