Përmes këshilltarit të saj juridik, Bledar Dervishaj, Presidenca sulmoi sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të certifikuar zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit 2019.
Presidenca hodhi akuza të forta ndaj Kushtetueses, e cila sipas kreut të shtetit, ka shkelur rëndë parimet kushtetuese duke mbrojtur “interesa politike dhe jo të vlerave që përfaqëson”.
“Vetëm përmes një vendimmarrje të themelit, Gjykata Kushtetuese do i rikthehet popullit shqiptar, votën e lirë, për të zgjedhur përfaqësuesit e tij. Përkundër kësaj pritshmërie, kjo gjykatë i zhgënjeu të gjithë. Gjykata Kushtetuese për interesa që nuk përkojnë me ato të shqiptarëve hoqi dorë nga kompetencat për të mbrojtur liritë për shqiptarët. Për fat të keq, Gjykata Kushtetuese me vendimmarrjen e saj, e ka lënë çështjen pa zgjidhje përfundimtare. Ajo nuk mori guximin të shpjegonte apo të merrte përgjigjen e këtyre pyetjeve”, tha ai.
Sipas presidencës, vendimi i Kushtetueses krijoi precedent të rrezikshëm për demokracinë, pasi “forca qeverisëse në të ardhmen mund të zhvillojë zgjedhjet kur të deshirojë”.
Praktikisht, pas zbardhjes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti Ilir Meta duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve të reja për bashkitë Shkodër, Durrës, Lushnje, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë, të cilat kanë mbetur pa kryetar.
Këshilltari juridik i presidentit nuk pati një përgjigje për vendimin që do të marrë Ilir Meta, po njoftoi se do të ketë sërish një deklaratë për mediat, kësaj radhe nga vetë kreu i shtetit.
Diskutime rreth kësaj post