Mediat e rëndësishme botërore kanë raportuar ditën e sotme në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Gramsh, ku tre shtetas, rusë dhe ukrainas janë arrestuar pasi tentuan të hynin në uzinën e armëve, dhe pasi nuk i janë bindur urdhrit për të ndaluar, kanë spërkatur dy ushtarët shqiptarë me lëndë kimike në fytyrë.
Lajmi ka bërë jehonë edhe në mediat ruse, ku The Moscow Times ka raportuar në lidhje me ngjarjen.
“Dy ushtarë shqiptarë u plagosën teksa po përpiqeshin të ndalonin dy rusë dhe një shtetas ukrainas të hynin në një fabrikë ushtarake”, raporton kjo media.
Në një citim të Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare, The Moscow Times shton se një nga të arrestuarit dyshohet se sulmoi rojet ndërsa përpiqej të fotografonte fabrikën e Gramshit e cila përdoret për çmontimin e armëve të braktisura.
“Në përpjekje për t’i shpëtuar kontrollit, një nga shtetasit rusë, i identifikuar me inicialet MZ, 24 vjeç, përdori sprej neuroparalizues mbi dy rojet e sigurisë,” shtoi ministria.
Dy të dyshuar të tjerë, një shtetas rus i identifikuar si ST, 33 vjeç dhe shtetasi ukrainas FA, 25 vjeç, u arrestuan gjithashtu pranë fabrikës.
Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se tre personat ishin “të dyshuar për spiunazh”.
Policia ushtarake, së bashku me agjencitë e inteligjencës dhe antiterrorizmit, shkuan në vendngjarje për të hetuar ngjarjen.
Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009.
Diskutime rreth kësaj post