Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e një dite më parë në qytetin belg të Liezhit, ku mbetën të vrarë dy oficere policie dhe një kalimtar i rastit, por pa dhënë prova për këtë.
Grupi xhihadist njoftoi përmes një deklarate “online” se “një ushtar i kalifatit” kishte kryer atë që policia belge e konsideroi një sulm terrorist. Edhe në të kaluarën, akte të ndërmarra nga të ashtuquajturit “ujqër të vetmuar”, të frymëzuar nga ekstremistët islamikë, janë marrë përsipër nga ISIS, e në shumicën e rasteve pa e vërtetuar përmes provave.
Ndërkohë, autoritetet belge përballen me pyetjet se, përse agresori, një i burgosur që dyshohej për lidhje me islamikët radikalë në burg, u la i lirë për një ditë. Ai u qëllua për vdekje nga policia përpara një shkolle pranë vendngjarjes.
Ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon tha se autoritetet ishin ende duke hetuar motivet që e shtynë Benjamin Hermanin, një shpërndarës droge 31-vjeçar belg i cili ishte prej vitesh në qeli, i lënë në liri për dy ditë gjatë së hënës, të ndërmerrte këtë veprim, edhe pse pritej të dilte nga burgu në vitin 2020.
Herman thirri “Allahu Akbar” përpara se të vriste policet femra dhe kalimtarin, ndërkohë që thuhet të jetë radikalizuar pas kontakteve me radikalët islamikë në burg në vitin 2016 dhe fillimvitin 2017. Ai thuhet gjithashtu të ketë ndjekur udhëzimet e Shtetit Islamik për të sulmuar me thikë oficerët e policisë, por krimin e djeshëm e bëri duke i rrëmbyer armën e shërbimit njërës prej tyre, për të qëlluar të tjerët, siç deklarojnë prokurorët.
Ministri i Drejtësisë, Koen Geens tha për një medie lokale se, ende e brente ndërgjegjja mbi faktin nëse agresori duhej lejuar të dilte nga qelia për dy ditë.
Ende të tronditur nga sulmi, banorë të qytetit të tretë më të madh të Belgjikës vendosën lule dhe ndezën qirinj në vendin e ngjarjes, gjatë së mërkurës, ndërsa zyrtarët lokalë mbajtën një moment heshtjeje.
Diskutime rreth kësaj post