Kryeministri Edi Rama ka përgënjeshtruar televizionin “Top Channel” se hakerat kërkojnë 30 milionë dollarë për tu tërhequr nga sulmi kibernetik.
Televizioni bëri sot një artikull, ku shprehej se hakerat kërkojnë para dhe po ashtu deklaronte se ata kanë marrë shumë të dhëna nga serverat.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, shefi i qeverisë ka shpërthyer në kritika ndaj “TCH”, duke e cilësuar si lajm të trilluar dhe i ka kërkuar që të ndalë shpifjet. Po ashtu Rama deklaron se nuk është aspak e vërtet që janë shkatërruar të dhënat në severat e AKSHI-t.
“AKSHI dhe një skuadër e superspecializuar ekspertësh të huaj ,po luftojnë natë e ditë për rimëkëmbjen e plotë në kohë rekord të sistemeve pas zmbrapsjes së sulmit. Është e turpshme që të gënjehet publiku në këtë farë feje, cilatdo qofshin motivet e kësaj vale shpifjesh haluçinante!
Lajmet për një gjobë 30 milionë euro nga hakerat apo për shkatërrimin e të dhënave janë krejt të rreme! Qeveria ka informuar aq sa mund të informojë, në ndërkohë që lufta nuk ka mbaruar dhe pas hakerave qëndron një shtet tjetër, jo një bandë dosido digjitale që merret me gjoba!
Gjyqet me median për shpifje, përfshirë edhe shpifjet që përhapin panik, nuk janë në praktikën e qeverisë sonë! Prandaj i bëj thirrje publike TCH të ndalë menjëherë valën e shpifjeve dhe përhapjen e panikut lidhur me pasojat e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë”, shkruan Rama.
Me poshte lajmi i plote i publikuar nga Top Channel
Kaluan katër ditë dhe e albania, shërbimi on line i të gjithë zyrave të shtetit nuk është ringritur.
Pothuajse janë paralizuar shërbimet në pjesën më të madhe të zyrave të shtetit. Zyrtarisht autoritetet shtetërore flasin për një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që ka ndodhur në vendet e tjera. Thuhet gjithashtu se është duke u punuar për të rikthyer në punë sistemin. Por ajo që nuk thuhet, përmendej nga ekspertët e IT të cilët kuptojnë thelbin e një sulmi kibernetik.
Top Channel mëson se në kompjuterat e selisë qendrore të AKSHI-t dhe e-Albania ka dalë kjo tabelë e cila pretendohet se është e hakerave.
Në të thuhet: Të gjithë skedarët tuaj janë të koduar me enkriptim RSA 2084. Nuk është e mundur të rikuperoni skedarët tuaj pa një çelës privat. Duhet të na telefononi për të marrë të gjithë çelësat privatë për të gjithë PS e prekur”
Më pas janë publikuar disa numra telefoni shqiptarë. Këta numra janë të krerëve të shtetit shqiptar dhe familjarëve të tyre dhe jo të hakerave. Në këtë mënyrë mesazhi kërkon të japë një sinjal të qartë politik për qëndrimin e shtetit shqiptar.
Mesazhi mbyllet edhe me një koment që ngre shumë dyshime. Në të thuhet: “Pse duhet të shpenzohen taksat tona në dobi të terroristëve të Durrësit”.
Në këtë mënyrë hakerat kanë dashur të tregojnë lidhjen e tyre me shtetin iranian që prej kohësh ka futur Shqipërinë në listën e vendeve jo mike për shkak se strehon anëtarët e opozitës iraniane.
Por mesazhi i dytë ngre dyshime të tjera. Burimet i thanë Top Channel se në një mesazh të dytë ka shkuar pranë AKSHI-t ku janë kërkuar si shpërblim 30 milionë dollarë në bitcoin.
Hakerat kanë bllokuar të dhënat e shtetit shqiptar me sistemet më të vështira për t’u zbërthyer. Ndërkohë mësohet se dëmi që kanë shkaktuar është shumë i madh sepse virusi i përdorur fshin dokumentet në çdo institucion dhe numri i kompjuterëve të prekur është shumë i madh. Ndërkohë që ende nuk është e qartë se sa ditë apo sa muaj mungojnë në skedarët e back up të e-Albania.
Mesazhi i shfaqur në kompjuterët e AKSHI-t nuk mund të thuhet se tregon qëllimin e vërtetë të sulmuesve. Kjo për faktin se virusi i përdorur përveçse bllokon të dhënat, edhe i fshin ato.
Por edhe krijon një rrugë komunikimi mes kompjuterëve dhe i jep mundësi hakerave që të kopjojnë çdo të dhënë por edhe ti fshijnë ato.
Hakerat ndërkohë janë njohës shumë të mirë të gjuhës shqipe dhe përdorin numra shqiptarë. Identiteti i hakerave nuk është aspak një alibi për faktin që e-Albania kishte një sistem mbrojtës aq të dobët sa u shemb kaq lehtë.
Diskutime rreth kësaj post