Të paktën 24 persona u vranë si pasojë e një sulmi kamikaz në kryeqytetin afgan Kabul. Autoritetet lokale thanë se mbi 40 persona të tjera u plagosën, ndërsa pritet që bilanci makabër të rritet.
Sulmi, i kryer në një zonë të qytetit të banuar kryesisht nga shiitë, kishte në objektiv një autobus me punonjës civilë të ministrisë së Minierave.
Zyrtarë lokalë thanë se ka dyshime që sulmi të ishte planifikuar për të goditur zëvendës shefin ekzekutiv të qeverisë Muhamed Mohaqiq, por duket se rojet rreth banesës së tij e kuptuan këtë dhe i bllokuan rrugën makinës së mbushur me eksploziv që drejtohej nga kamikazi.
Ky i fundit më pas sulmoi autobusin me civilë. Sulmi u mor përsipër nga talebanët, të cilët thanë se do të vazhdojë fushatën luftarake ndaj qeverisë afgane. Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 1600 civilë janë vrarë në Afganistan gjatë 6 muajve të parë të vitit dhe rreth 20% e tyre në Kabul.
Më 31 maj, një shpërthim masiv në qendër të qytetit i kushtoi jetën më shumë se 150 njerëzve, duke shënuar kështu sulmin më të përgjakshëm në vend që prej ndërhyrjes amerikane në vitin 2001.
Presidenti amerikan, Donald Trump aktualisht po vlerëson nëse duhet të rrisë numrin e trupave amerikane që ndihmojnë policinë dhe ushtrinë afagane, pas thirrjeve të shumë ekspertëve dhe ushtarakëve se situata në Afganistan po përkeqësohet ndjeshëm.
Diskutime rreth kësaj post