Presidenca e Donald Trump ka pasur ndikim të madh në mënyrën sesi i sheh bota Shtetet e Bashkuara.
“Pew Research Center” ka realizuar një sondazh me mbi 40 mijë persona në 37 vende të ndryshme këtë vit, e rezultati ishte se shefi i Shtëpisë së Bardhë dhe politikat e tij janë gjerësisht “jopullore anembanë globit”.
Vetëm dy prej shteteve, ku janë marrë intervistat, kishin mendim më të mirë për Trumpin sesa për paraardhësin e tij Obama: Izraeli dhe Rusia.
Anketimi tregon se njerëzit në përgjithësi kanë më pak besim te republikani, nga sa kishin te njeriu që ai zëvendësoi në krye të Shteteve të Bashkuara. Të njëjtat subjekte u pyetën në fundin e presidencës tetëvjeçare të Obamës, e pas fillimit të mandatit të Trump.
Atyre iu kërkua të thonë nëse kishin besim se presidenti do të bënte zgjedhjet e duhura në raport me çështjet e jashtme. Ndryshimi i reagimeve në raport me Obamën ishte i ndjeshëm.
Trump nuk humbi kohë për të lënë gjurmën e tij në politikën e jashtme amerikane: e bëri të qartë se priste nga vendet e NATO-s që ta paguanin të plotë pjesën e tyre dhe inkurajoi vendet e Gjirit Persik të izolonin Katarin.
Presidenca e republikanit i shkundi aleatët deri në atë pikë sa, pas takimit me të, Kancelarja Angela Merkel u shtrëngua të pohonte se “Europa nuk mund të varet më krejtësisht nga aleati i saj i vjetër”.
Në fakt, rënia më e thellë e besimit te presidenti i Amerikës regjistrohet pikërisht në mesin e vendeve aleate. Niveli i gjermanëve që besonin tek Obama ishte 86%; te Trumpi tani kanë besim vetëm 11% e tyre.
Fokusi i tij te marrëdhënia me Izraelin, ku Obama nuk ishte fort popullor, nga ana tjetër ka dhënë fryte. Sa për karakteristikat e testuara, pozitive dhe negative, presidenti Trump – raporton “PRC”, – më së shumti përshkruhet si arrogant.
Diskutime rreth kësaj post