Valët e të nxehtit që kanë përfshirë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara në korrik, do të ishin “të pamundura” pa ndryshimet klimatike të nxitura nga njeriu, ka zbuluar një studim shkencor.
Ngrohja globale nga djegia e lëndëve fosile, e ka rritur për 50 herë mundësinë që disa pjesë të Kinës të përballen me temperatura të larta.
Sipas studimit të Qendrës Klimatike të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, ndryshimet klimatike nënkuptojnë se vala e të nxehtit në jug të Evropës ka qenë 2.5 gradë Celsius më e nxehtë.
Sipas ekspertëve, pothuajse të gjitha shoqëritë janë të papërgatitura për të nxehtin vdekjeprurës.
Autorët e studimit kanë thënë se gjetjet e tyre e theksojnë rëndësinë e adaptimit të botës me temperatura të larta, sepse ato nuk janë më “të rralla”.
“I nxehti është në mesin e katastrofave më vdekjeprurëse”, ka thënë Julie Arrighi, një prej autoreve të studimit.
Ajo u shpreh se shtetet duhet të ndërtojnë shtëpi rezistente ndaj nxehtësisë, të krijojnë “qendra të freskëta”, dhe të gjejnë mënyra si t’i ulin temperaturat në qytet, përfshirë mbjelljen e më shumë pemëve.
Miliona njerëz kanë jetuar me ditë të tëra nën alarmin për të nxehtë ekstrem. Ekspertët bëjnë me dije se ky i nxehtë ekstrem që po përjetojmë mund të jetë kërcënim serioz për jetën e njeriut, sidomos për personat e moshuar.
Diskutime rreth kësaj post