Frika ishte ndjenja e vetme që më lidhte me Prishtinën e në përgjithësi me Kosovën, në jug të lumit Ibër. Projekti i DW-s #Generation99 ishte një shans ideal për t’u njohur vërtet me gjendjen, shkruan Andrija Lazareviq.
Me afrimin në vendkalimin administrativ në Merdarë, forcohej edhe ndjenja e shqetësimit dhe kureshtjes së brendshme. Është pikëlluese që këtë pjesë të Kosmetit (humë serbë dhe zyrtarw të Beogradit, Kosovën e quajnë “Kosmet” apo “Kosovë e Metohi”!) e shoh pwr herë të parë tani pas 20 vitesh, edhe pse kam lindur atje. Deri në Prishtinë na u deshën më pak se 50 minuta. Ndjenjat e mia ndërronin. Shikoja shtëpitë e shqiptarëve dhe kërkoja dallime në të gjitha gjërat – prej numrit të dritareve e deri tek dukja e oborreve, dyqaneve…
Më në fund arritëm në Prishtinë. Përshtypja ime e parë ishte se ky qytet kishte tepër dritë, ndoshta për shkak të zbukurimeve të fundvitit apo diçka tjetër, nuk jam i sigurt. Duke shëtitur rrugëve kuptova se gati çdo gur në Prishtinë ruante historinë e para luftës. Prej godinave të fakulteteve e deri tek biblioteka dhe manastiri “Spas Hrista”, i cili gjendet në qendër të qytetit dhe që shkakton mendime të ndryshme tek shqiptarët.
Relaksimi i ngadalshëm
Nëpër Prishtinë shëtisnin të rinj, ndërsa ndjenja ime e tendosjes së brendshme ishte gjithnjë e më e vogël. Erdhi edhe kontakti i parë me shqiptarë të rinj. Së bashku kaluam një kurs të shpejtë gazetarie, për raportim me telefona celularë dhe shkëmbyem mendime për gjendjen aktuale në vend. Qasja e tyre në fillim nuk më pëlqeu. Argumentet e tyre ishin disi kontradiktore, në njërën anë bënin thirrje për paqe e në anën tjetër hidhnin të dhëna statistikore për gjakderdhjet në Kosovë e Metohi gjatë vitit 1999.
Pjesërisht e kuptoj nevojën e tyre. Në mendjet tona janë ngulitur thellë rrëfimet e prindërve dhe farefisit tonë, që kanë ndikuar edhe në krijimin e opinioneve tona. Për shkak të gjërave që kanë bërë shqiptarët në të kaluarën, unë kurrë nuk kam menduar se “të gjithë shqiptarët janë fajtorë”. Ndërsa këto dy ditë i kam dhënë vetes shansin që t’i njoh më mirë shqiptarët. U binda se edhe bashkëmoshatarët e mi i kishin dhënë vetes këtë shans.
Vizita në Mitrovicë dhe kalimi në “anën tonë”
Përveç Prishtinës, patëm mundësinë të vizitojmë edhe Mitrovicën e Jugut, të cilën nga pjesa veriore e ndan ura e famshme mbi lumin Ibër. U takuam me nënkryetarin e bashkisë së Mitrovicës së Jugut dhe biseduam me të – theksi i bisedës ishte e kaluara. Më pas u ndamë në disa grupe (studentët pjesëmarrës të projektit janë ndarë në disa grupe dhe kanë bërë intervista apo reportazhe të përbashkëta) dhe bëmë ca intervista, aplikuam ato që mësuam për raportimin gazetaresk me telefona celularë.
Pjesa më e rëndësishme e kësaj vizite për mua ishte gjithsesi vizita në veri, ai momenti i kalimit nga njëra anë në tjetrën, në “anën tonë” të urës, kur më vërshuan emocione të shumta. Në fund të një dite shumë përmbajtësore dhe të lodhshme, u kthyem në hotel në Prishtinë.
Ndryshimi i mendimit
Koha për të përmbledhur përshtypjet. Të gjithë ne ndryshuam rrënjësisht mendimet tona brenda vetëm dy ditësh. Në pyetjen (e organizatorëve) çfarë do të bësh kur të kthehesh nga Prishtina në Beograd, u përgjiga: “Familjes time dhe miqve nesër do t’ua tregoj një histori krejt tjetër për Kosovën nga ajo që mendojnë ata”. Këtë edhe e kam bërë menjëherë pas kthimit në Beograd!
Dëshira ime është që ndriçimi i përmendur në fillim të jetë simbol i një të ardhme sa më të ndritur të mundshme dhe që rrëfimet për paqen të mos jenë vetëm rrëfime të kota politike, por të jenë realiteti ynë i ardhshëm. Në fakt, dëshiroj të jetojmë në paqe – asgjë tjetër!
Andrija Lazareviq është student i gazetarisë në Beograd, i lindur në veri të Kosovës. Ai ka lindur në Kosovë, por për herë të parë në jug të lumit Ibër ishte në kuadër të Projektit të Deutsche Welles #Generation99, ku janë mbledhur studentët e lindur në kohën e luftës së Kosovës, në vitin 1999. Vizita në Kosovë është realizuar më 12-13 dhjetor. Ndërsa më parë studentët nga Serbia dhe Kosova janë takuar për herë të parë në qershor, në Kumanovë, në 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Diskutime rreth kësaj post