Shqipëria nuk është më jashtë hartëzimit “Street View” të gjigantit amerikan të teknologjisë, “Google”. Prej ditës së enjte, rrugët dhe sheshet kryesore të qyteteve më të mëdha të vendit, mund t’i ‘shëtisni’ duke shfrytëzuar këtë shërbim.
‘Shfletimi’ i rrugëve të Shqipërisë përmes “Street View” është mjaft i thjeshtë. Mjafton të futesh në këtë shërbim të ofruar nga Google dhe të udhëtosh më pas me sytë e Google.
Tirana është qyteti i hartëzuar më shumë dhe më pas me radhë edhe qytetet bregdetare dhe qytetet e tjera më të mëdha të vendit.
Makinat e “Street View” nisën fotografimin në prill të këtij viti e zonave turistike dhe rrugët e qyteteve kryesore shqiptare.
Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, ftuar në Wake Up në Top Channel tha në atë kohë se nisja e këtij procesi është kurorëzimi i përpjekjeve të Shqipërisë për të mundësuar që edhe vendi ynë të bëhet pjesë e “Street View”.
“Ne kemi disa vite që bëjmë përpjekje përmes bashkëpunimeve të ndryshme me Google që ta bëjnë këtë proces edhe në vendin tonë. Makinat e Street View nisin punën më 29 prill dhe do të punojnë për 8 javë në qytetet kryesore të Shqipërisë, bregdetare dhe destinacionet turistike”, tha ajo.
Ministrja Harito tha se nisma do të ndihmojë në përmirësimin e imazhit të vendit tonë në sytë e turistëve të huaj.
“Do t’u japë besim turistëve të vijnë në Shqipëri dhe të shikojnë me sytë e tyre bukuritë tona natyrore dhe kulturore”, tha ajo.
Ministrja tha se “Street View” është njëri prej bashkëpunimeve, por jo më kryesori dhe si të tillë vlerësoi një tjetër.
“Po punojmë me Google që të njohë dhe të fusë në platformën AdSense edhe gjuhën shqipe, apo portalet që janë në gjuhën shqipe”, tha ajo.
Diskutime rreth kësaj post