Gjykata Kushtetuese shumë shpejt pritet të plotësohet me 9 anëtarë. Kjo gjykatë ka në dorë shumë çështje të bujshme dhe duke qenë se nuk ka kuorumin e nevojshëm mund të krijojë vështirësi në vendimmarrje. Dosja më e fortë pritet të jetë ajo e shkarkimit të presidentit. Tani është Gjykata e Lartë ajo e cila do të duhet të propozojë 3 emrat e saj. Sipas ndryshimeve më të fundit ligjore, duhet që të jenë gjysma e gjyqtarëve që ka Gjykata e Lartë për të marrë vendim.
Momentalisht ajo ka 7 anëtarë, por duhen dhe 3 për të përmbushur ligjin. Këshilli i Lartë Gjyqësor në raportin vjetor për vitin 2021 ka dhënë detaje se si po ecën procesi i plotësimit të Gjykatës së Lartë, gjë që do të sjellë më pas edhe plotësimin e Kushtetueses. Gjatë vitit 2020, KLGJ ka punuar për funksionalizimin e plotë të GJL duke shpallur 11 vende vakante nga radhët e gjyqtarëve nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë për: 3 vende vakante në fushën e të drejtës civile; 4 vende vakante në fushën e të drejtës administrative; 4 vende vakante në fushën e të drejtës penale.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor administroi 23 dosje kandidatësh nga radhët e gjyqësorit. Nga 11 procedurat e nisura, u përfunduan 4 emërime përmes procedurës së ngritjes në detyrë në fushën e së drejtës penale. Ndërsa 7 procedurat e tjera janë ende në shqyrtim në pritje të përfundimit të procesit të rivlerësimit kalimtar, vlerësimeve etike-profesionale për kandidatët si dhe vështirësive të tjera objektive. Me plotësimin e këtyre vendeve vakante, do të mundësohet kuorumi i nevojshëm i mbledhjes së gjyqtarëve për të përmbushur detyrimet ligjore në lidhje me emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, theksohet në raport.
KLGJ bën me dije se ndaj mungesës së vlerësimeve etike-profesionale të kandidatëve, janë marrë masat duke kryer procedurat e përshpejtuara për të gjithë gjyqtarët që kanë kandiduar për ngritje në detyrë dhe kanë plotësuar kriteret ligjore të kandidimit.
“Përtej vështirësive, në mars 202149, KLGJ plotësoi Gjykatën e Lartë me 4 gjyqtarë në fushën e së drejtës penale. Plotësimi i Gjykatës së Lartë me 7 (shtatë) anëtarë shënon hapin e parë të funksionalizimit të plotë të saj. Aktualisht Gjykata e Lartë mundëson njehsimin dhe unifikimin e praktikave, duke shqyrtuar çështje me trup gjykues të përbërë nga 5 anëtarë. Për sa i përket 3 pozicioneve ende të pa shpallura, KLGJ-ja është në pritje të progresimit të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve me qëllim rritjen e numrit të kandidatëve potencial aplikues”, thuhet më tej.
Gjykata e Lartë është institucioni gjyqësor me më shumë dosje në pritje. KLGJ në raportin vjetor bën me dije se një instrument që ka shërbyer si katalizator për rritjen e efikasitetit të punës në Gjykatën e Lartë është miratimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes KLGJ dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
“Aktualisht, 12 juristë punojnë për krijimin e një inventari të hollësishëm të rreth 38,00052 çështjeve të prapambetura në këtë gjykatë. Ky inventar do të shërbejë si bazë për kategorizimin e çështjeve në grupe të cilat do të trajtohen me pas nga këshilltarët ligjorë dhe gjyqtarët, duke lehtësuar punën e këtyre të fundit. Konkretisht, angazhimi i tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, të këshilltarëve ligjorë dhe të operatorëve, ka bërë që stoku i çështjeve të prapambetura të reduktohet ndjeshëm. Në funksion të zbatimit të këtij memorandumi përmes analizimit të rrjetit aktual të administrimit të dosjeve dhe përpunimit të praktikave të mira të punës brenda administratës gjyqësore, krahas evidentimit të dosjeve më prioritare nga pikëpamja e afateve kohore, po analizohen dhe përpunohen mekanizmat e mundshëm për rritjen e normës së evadimit të çështjeve”, thekson raporti.
Diskutime rreth kësaj post