Një ish-skafist është shndërruar në aleatin më të ri të Partisë Demokratike dhe në një hallkë kyçe të strategjisë së Bashës për të përçarë koalicionin e PS-PDIU në zgjedhjet e ardhshme.
Ditën e sotme, Dashamir Tahiri, ish-deputeti i Vlorës i përjashtuar nga Kuvendi pas zbulimit të dy dënimeve të mëparshme të padeklaruara, nga çadra e PD-së ku është shndërruar në një vizitor të përditshëm, deklaroi se do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme në Qarkun e Vlorës.
“Në ketë rikandidim ku qëllimi kryesor është ai i zgjidhjes së çështjes Çame, sfidoj njeriun që e ktheu ketë çështje në interes të pazareve të tij personale, ‘çamit të ngelur në tentativë’, Shpëtim Idrizi, të mbajë fjalën e dhënë dhe të kandidojë përballë meje, në qarkun tim”, – deklaroi sot Dashamir Tahiri.
Ajo që mbetet për të përcaktuar deri në muajin prill, kur do të publikohen listat e deputetëve, është nëse Tahiri do të jetë pjesë e listave të PD-së apo nëse do të themelojë një parti të re, një hipotezë që vetë ai e ka konsideruar si të mundshme.
Duke e vendosur përballë Idrizit, pikërisht në Vlorë, zonën ku PDIU ka mbështetjen më të madhe, Basha po përpiqet të përdorë aleatin e tij të ri, për të bërë për vete një pjesë të votës së çamëve. Por, këtë po e bën me koston e rikthimit të personave me precedentë kriminalë në Parlament.
Rizgjedhja e mundshme e Tahirit në Kuvend do të përbënte një përdhosje të plotë të qëllimit të ligjit të dekriminalizimit, i njëjti ligj që i hoqi Tahirit mandatin, për shkak të faktit që kishte fshehur të shkuarën e tij si skafist.
Njëkohësisht, mbështetja tek një aleat si Tahiri, vendos pikëpyetje të mëdha mbi deklaratat e Bashës, që në muajt e fundit është përpjekur të krijojë imazhin e një “politike të re”, e cila do të ndajë përfundimisht PD-në nga koha e mbështetjes tek të fortit e zonës dhe të personave të tjerë me të shkuar kriminale./Lexo.al
Diskutime rreth kësaj post