Statuti i ri i Partisë Demokratike, pritet t’i hapë rrugë spastrimeve rrënjësore në Këshill dhe Kryesinë e PD. Kur erdhi në krye të Partisë Demokratike rreth 8 vite më parë, kryedemokrati Lulzim Basha nisi një reformë të thellë, duke përjashtuar dhe larguar nga partia pjesën më të madhe të themeluesve, si dhe zërave kritikë. Kulmi i përjashtimeve ndodhi para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, ku në mënyrë të beftë kryedemokrati Basha la jashtë shumë figura të spikatura si ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Ridvan Bode apo edhe 2 ish-nënkryetarët e PD, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi. Por duket se zoti Basha është i vendosur për ta bërë zap partinë dhe vendosur në kontroll atë, ndërsa për të përmbushur këtë mision ai po përdor si “kamxhik” statusin e ri që pritet të miratohet sot në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Kështu, gazeta ka siguruar Statutin e ri të PD që do të bazohet në 11 pikat e propozuara nga zoti Basha pak ditë më parë dhe interesant është fakti se i hapet rrugë spastrimeve çdo 2 vjet brenda Partisë Demokratike. Më konkretisht në nenin 43 thuhet se 3 muaj para dhe 1 muaj pas zgjedhjeve lokale dhe parlamentare, Kryesia e PD mund të marrë masa ndaj çdo anëtari për ta përjashtuar apo ndëshkuar. Ndërsa në një pikë tjetër Statuti i ri i Partisë Demokratike që do të votohet në Kuvendin Kombëtar, i hap rrugë përjashtimeve, ku krerët e grupseksionet dhe sekretarët ikin nga Kuvendi.
“Largohen nga Kuvendi Kombëtar, sekretarët e Seksioneve, që janë aktualisht, si dhe hiqen kryetarët e grupseksioneve. Po ashtu largohen Sekretarët e PD”, thuhet ndër të tjera në nenin 43 të Statutit të ri të PD. Po ashtu, në Statut është parashikuar që të rrudhet roli i kreut të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Deri më tani Këshillin mund ta mblidhte kreu i tij ose kreu i PD, ndërkohë që me ndryshimet e reja, tagrin për ta thirrur Këshillin Kombëtar e ka shefi i selisë blu, pra zoti Lulzim Basha dhe jo kreu i Këshillit Kombëtar, cilido qoftë ai.
“Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari i partisë. Deri tani kishte të drejtë ta thërriste kreu i Këshillit, pra Nishani. Tani nuk e ka më”, thuhet në neni 44, pika 5 të Statutit të PD. Megjithatë, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më konkretisht. Ndërkohë nga ana tjetër për të pasur një panoramë të saktë, gazeta po risjell 11 propozimet e Lulzim Bashës për ndryshimin e statutit të Partisë Demokratike. Në ndryshim nga Kadilli, i cili propozoi kufizim të mandatit të kryetarit të PD në katër vite në rast humbje në zgjedhje, Basha nuk ka asnjë propozim në lidhje me mandatin e kryetarit. Propozimet e Bashës lidhen kryesisht me zgjerimin e Kryesisë, Sekretariatit dhe shtimit të strukturës së përhershme të Këshillit Koordinues të Qarkut, që do të ketë përgjegjësi në organizimin elektoral dhe aksionet e veprimtaritë politike të partisë në nivel qarku.
Diskutime rreth kësaj post