Elisa Spiropali, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh dhe zëdhënësja e qeverisë, është shprehur se presidenti Ilir Meta ka qenë pjesë e një skenari për destabilizimin e Shqipërisë.
Gjatë një interviste televizive ajo është pyetur se kush mund të jetë emri i ri, i cili sipas mazhorancës do të mund të zëvendësoj Metën, por Spiropali nuk ka dhënë një përgjigje. Por ka theksuar se presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe se për këtë arsye ka nisur dhe procedura për shkarkimin e tij.
Ajo tha se si fillim do të bëhet hetimi përkatës në Komisionin Hetimor Parlamentar, duke vijuar më pas me hapat e tjera të cilat parashikohen në ligj.
“Ne nuk rendim për të shkelur afatet, nuk e kemi diskutuar emrin e ri, nuk jemi në atë fazë. Aktualisht është ngritur komisioni për hetimin e dekreteve të Presidentit, do vazhdojë procesi i hetimit dhe Parlamenti do votojë. Pastaj, i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë, por për ne është shumë e qartë se Meta e ka shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët dhe ka qenë pjesë e një skenari për të destabilizuar Shqipërinë. Nuk ka përfaqësuar interesin e popullit në asnjë çast”, ka deklaruar Spiropali./Opinion
Diskutime rreth kësaj post