Avokat Spartak Ngjela ka lëshuar dje të tjera kritika në drejtim të presidentit Ilir Meta. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ai është shprehur se kërcënimet e Metës se do ngrejë popullin në këmbë janë të kota. Sipas avokatit, askush nuk i shkon pas atij.
“Meta është President i Republikës, atëherë, përse i duhet këtij populli i ngritur me armë? Nuk ka kolonelë ky President, se ai na tha që është Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë? Në fakt këtu fillon komedia: se Metën nuk e përkrah njëri dhe nuk ka asnjë kompetencë, por kërkon të shkatërrojë Shqipërinë, prandaj e don popullin nën armë. Dhe, a e dini se kë do të rrëzojë populli shqiptar i armatosur e me Metën si prijës? Ambasadorët e vendeve perëndimore në Tiranë, për të shpëtuar sovranitetin e Shqipërisë. Me këtë, Meta tregon se është i skaduar si arsye politike, por edhe i humbur. Nuk ka asnjë shpresë”, tha ai.
Avokati ka bërë një paralel mes Metës dhe Enver Hoxhës. Sipas tij, diktatori izoloi Shqipërinë për pushtetin e tij dhe jo për sovranitetin e vendit.
“Pse, ju vërtet mendoni se Enver Hoxha u shkëput nga gjithë bota dhe e izoloi Shqipërinë për të mbrojtur sovranitetin e Shqipërisë dhe Marksin? Asfare për Shqipërinë dhe as për Marksin, por thjesht për pushtetin e tij, por edhe për fatin e tij, se kishte bëre krime dhe duhej të penalizohej. Njëlloj si Meta nga antikorrupsioni. Prandaj na duhet të pyesim: Ky Ilir Meta, që u ngrit kundër Perëndimit, për vete e ka këtë, apo për Shqipërinë? Sigurisht që për vete, por është me frikë. Sepse Metës nuk ia mban që të flasë kundër Perëndimit direkt dhe na thotë “janë shitur ambasadorët, sepse i ka paguar Rama”. Po, kaq i zoti qenka ky Rama sa të blejë edhe Uashingtonin edhe Berlinin edhe Brukselin nëpërmjet ambasadorëve! Pale, pale, po na paska blerë edhe OSBE-në, domethënë Amerikën”, tha Ngjela.
Sipas avokatit, presidenti ka deviacion psikik. Ai u shpreh se nuk e kap dot Gjykatën Kushtetuese.
“Turp për shqiptarët që kanë si presidentit një armik të shqiptarëve! Nuk shpëton dot. Pse shqetësoheni, zoti Meta? Ju i thatë Departamentit të Shtetit që “të shkojë në Korenë e Veriut” dhe nuk ia thatë këtë ambasadorit amerikan në Tiranë, të shitur te Rama. E kuptoni logjikën e Metës? Ky njëri tani dallohet që ka deviacion psikik, por duhet të qetësohet. Nuk e merr dot Gjykatën Kushtetuese, se nuk ia pranon kush lodrat fëminore. Kërkon të rrijë ende President i Republikës, sepse mendon që ka dhe afër 3 vjet garanci për të shmangur procesin antikorrupsion të shpronësimit të tij”, tha ai. Ngjela deklaroi se ndërkombëtarët shumë shpejt do marrin në dorë situatën”.
Diskutime rreth kësaj post